Thaçi: Të kujdesemi për punëtorët që të tejkalojnë krizën e pandemisë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se i mbështetë kërkesat për kushte më të mira të punës, dhe ndan shqetësimin me punëtorët për zbatimin e legjislacionit që mbron të drejtat e tyre. Ai ka shkruar se në rrethanat e pandemisë, është më e rëndësishme kujdesi ndaj punëtorëve duke i ndihmuar të tejkalojnë këtë krizë.
Në ditën e punëtorëve, presidenti ka thënë se më 1 maj konfirmohet përkushtimi për të punuar çdo ditë në mënyrë që të përmirësohet pozita e çdo punëtori në Kosovë.
“Më 1 Maj jo vetëm që festojmë, por edhe konfirmojmë përkushtimin tonë për të punuar çdo ditë që ta përmirësojmë pozitën e çdo punëtori në Kosovë. Si President i Republikës së Kosovës i mbështes kërkesat për kushte më të mira të punës dhe ndaj shqetësimin e përbashkët me punëtorët për zbatimin në praktikë të legjislacionit që mbron të drejtat e tyre. Në rrethanat e pandemisë bëhet edhe më e rëndësishme që të kujdesemi për punëtorët dhe për mirëqenien e tyre, duke iu ndihmuar ta tejkalojnë këtë krizë me sa më pak pasoja dhe bashkërisht të vazhdojmë ndërtimin dhe fuqizimin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi.