Gratë të përfshihen në hartimin e planeve për përballje me koronavirus

Rrjeti i grave të Kosovës ka kërkuar nga qeveria që gjatë përballje me pandeminë Covid-19 të implementojnë një analizë gjinore gjithëpërfshirëse që gratë të përfshihen në numër më të madh në hartimin e politikave për t’i bërë ballë koronavirusit.
Në një reagim të RrGK-së thuhet se qeveria duhet të sigurojë që gratë punëtore janë të mbrojtura me Ligjin e Punës, duke e trajtuar lejen e lehonisë brenda këtij ligji dhe jo me një ligj të veçantë.
“Është e rëndësishme që qeveria gjatë përballjes me pandeminë COVID-19, të implementojë urgjentisht një analizë gjinore gjithëpërfshirëse, për të informuar dhe orientuar masat e mëtutjeshme të qeverisë dhe të përfshihen më shumë gra në hartimin e planeve dhe politikave për t’i bërë ballë këtij virusi. Ndërsa, në aspektin afatgjatë, qeveria duhet të sigurojë që gratë punëtore janë të mbrojtura me Ligjin e Punës duke e trajtuar lejen e lehonisë, atë atësore dhe prindërore brenda Ligjit të Punës dhe jo me ligj të veçantë”, thuhet në reagim.
Gjithashtu, theksohet nevoja për të punuar në përmirësimin e reagimit institucional sa i përket rasteve të raportuara të diskriminimit në baza gjinore në tregun e punës.
Në ditën e punëtorëve, rrjeti i Grave të Kosovës ka theksuar se institucionet përgjegjëse nuk duhet dështuar në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.
“Këtë vit kur përballemi me pandeminë globale COVID-19, dhe duke qenë që sektorët esencial aktiv për përballjen me këtë pandemi janë të mbipërfaqësuara nga gratë, kjo shkakton shkeljen e të drejtave të grave punëtore duke filluar nga orari i tejzgjatur i punës pa pagesë shtesë, dyfishimi dhe mosadresimi i barrës së papaguar shtëpiake, mungesa e masave esenciale higjienike dhe sanitare e deri te humbja e vendit të punës”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Sipas hulumtimeve të RrGK-së, gratë vazhdojnë të përbëjnë vetëm 13.7% të fuqisë punëtore në Kosovë, por edhe kur janë të punësuara, ato paguhen më pak se burrat për punë të njëjtë, mbajnë pozita më të ulëta, privohen nga e drejta për leje të paguar të lehonisë dhe janë të ekspozuara ndaj ngacmimit seksual në vendin e punës.