Prishtina në ditën e parë pas heqjes së karantinës

Komuna e Prishtinës nga sot nuk qëndron më e mbyllur për qarkullim. Pas tri javë qëndrimi në karantinë, ekipet policore në hyrje-daljet e qytetit janë larguar. Masa e karantinës është hequr pasi në pesë ditët e fundit nuk ka asnjë rast të ri me COVID-19. Në ditën e parë të heqjes së kësaj mase, në rrugët e Prishtinës kishte një numër të madh të qytetarëve dhe veturave.
Disa nga hyrje-daljet e kryeqytetit, të cilat për tri javë kanë qenë të bllokuara. Me këtë rast u pa një fluks i madh i makinave e në disa vende ishin kthyer edhe kolonat e dikurshme para se vendi të përfshihej nga pandemia COVID-19.
Edhe pse sheshet kryesore “Skënderbeu”, “Nënë Tereza” dhe “Zahir Pajaziti”, vazhdojnë të jenë të bllokuara, kjo nuk po ua pamundëson qytetarëve lëvizjet.
Madje ata thonë se heqja e karantinës ka qenë vendim i duhur, për faktin se rastet e reja me Covid-19 kanë pësuar rënie.
Bajram Kastrati thotë se karantinimi në Prishtinë është dashur të largohet kohë më parë, derisa theksoi se kjo e fundit ia ka pamundësuar të vazhdojë punën.
“Është dashur shumë më herët, sepse nuk është dashur të bllokohen banorët e Prishtinës dhe falë Zotit nuk ka raste. Unë për shembull me pension 90 euro, shes libra në shesh. Që një muaj e gjysmë pa e shit asnjë libër, me 90 euro çka të bëj. Ne e dimë që shëndeti është mbi të gjitha, por shëndetin e mban edhe jeta”, tha Kastrati.
Pavarësisht heqjes së karantinës, ka edhe prej atyre qytetarëve që konsiderojnë se duhet vazhduar me masat e mbrojtjes nga përhapja e COVID-19.
Dan Gashi thotë se masat për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundje të rrezikshme janë zbatuar mirë nga ana e qytetarëve.
“Për mendimin tim, ka qenë mirë, është ruajtur populli, nuk ka pasur të infektuar kështu që më mirë që ka qenë deri tash, po tash e tutje prapë duhet të kemi kujdes, në mënyrë që të mos përhapet më gjerë…Deri tash ma merr mendja që i kanë zbatuar edhe tash tutje besoj që do të vazhdojnë t’i zbatojnë”, tha Gashi.
E Rrahman Rrahmani shprehet i bindur se situata me pandeminë Covid-19 do të kalojë, nëse qytetarët vazhdojnë të tregojnë kujdes dhe të respektojnë distancën sociale.
“Janë disa shkëndija se kjo sëmundje po kalon dhe besoj që qytetarët janë të vetëdijshëm dhe duhet të ruhen. Nëse ne ruhemi dhe i shmangemi së keqes, atëherë është shumë e lehtë për ne… Jetë pa vuajte dhe pa durim nuk ka dhe këtë do ta kalojmë, por na duhet durim dhe shpresë”, deklaroi Rrahmani.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një statusi në Facebook, i bëri thirrje qytetarëve, që edhe pas karantinës t’i përmbahen rregullave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Deri më tash në Prishtinë janë konfirmuar gjithsej 68 raste me COVID-19, prej tyre dy të vdekur.
Masa e karantinës u vendos më 11 prill, pas konfirmimit të 20 rasteve vetëm brenda një dite. Ishte vetë ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia, i cili në konsultim me kryetarin Shpend Ahmeti, mori vendim për shpalljen e kryeqytetit si zonë karantine. Me këtë vendim për tre javë u ndaluan hyrje-daljet në Prishtinë dhe aty mund të kalohej vetëm me leje speciale