Luftë muskujsh mes KOK-ut dhe FFK-së

Kryetari i FFK-së Agim Ademi, duke e konsideruar veten në krye të kësaj federatë për 4 vitet e ardhshme, ka thyer obligimin që Komiteti Olimpik i Kosovës u kishte paraqitur Federatave.
Sipas kërkesës së KOK-ut, secila prej federatave duhet të mbajë zgjedhjet pas çdo cikli olimpik (çdo 4 vjet, pas olimpiadës).
Mirëpo zgjedhja e Agim Ademit më 6 Korrik 208 në krye të FFK-së, ishte menduar që do të ishte zgjidhje e përkohshme, sepse pretendohej që ai do të trashëgonte mandatin e kryetarit të ndjerë Fadil Vokrri.
Historia e konflikteve në shumë fronte e Agim Ademit, nisi pikërisht këtu.
Ai fillimisht dështoi të dilte i pastër para ligjit, në veprat penale me të cilat ngarkohej.
Më 1 korrik 2019 Prokuroria kërkoi që Ademi të shpallej fajtor për veprat penale të ushtrimit të ndikimit dhe të detyrimit, dhe të dënohet sipas ligjit.
Në rrethana normale, fakti që ai ishte duke u hetuar, duhej të lironte rrugën që moralisht dhe në forma tjera, të mos i bëhej barrë futbollit kosovar.
Më 26 shkurt 2020 Gjykata e Apelit, ia vërteton dënimin prej nëntë muajsh burg efektiv, që gjykata e shkallës së parë, kishte shqiptuar ndaj kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi.
Ademi vendos prapë të jetë akoma më këmbëngulës, duke lënë të kuptohet se vendimi i Gjykatës së Apelit prej 9 muajsh burgim, të merrej si diçka e zakonshme në opinion.
Mospërfillja e vendimeve nga institucionet shtetërore të drejtësisë është rast unik në sportin kosovar dhe si duket po funksionon metoda e Agim Ademit për të “blerë kohë”.
Përballë kësaj situate, ka dështuar edhe Komiteti Olimpik i Kosovës.
Organizata që duhej të ishte maja e piramidës së organizimit të sportit në vendin tonë, pranoi që në heshtje ta kalonte “rastin Ademi”.
Agim Ademi zyrtarisht ushtron jo më pak se detyrën e nënkryetarit të KOK, edhe pse mësohet se marrëdhëniet e tij me drejtuesit e KOK, janë acaruar kohëve të fundit.
Gjenezën e këtij acarimi mund ta kërkojmë te kërkesa e KOK që Ademi të respektojë vendimin për zgjedhje pas ciklit 4 vjeçar olimpik.
Agim Ademi nuk iu bind KOK, dhe tashmë këtë organizatë e ka vënë para një sfide tjetër…
KOK duket e pafuqishme ndaj FFK-së dhe jep sinjale se tashmë vendimet dhe obligimet ndaj Federatave tjera bien në ujë dhe nuk do të ishte e drejtë tashmë pas “thyerjes së akullit nga FFK’, të bëhet presion te federatat tjera, që ta respektojnë vendimin e KOK.
Kjo mund të përmbysë rendin në sportin kosovar, që KOK ishte përpjekur ta vë, e madje edhe kur pritet që shtëpia e lëvizjes olimpike të reagojë me masa ndaj FFK-së, ajo zgjodhi poashtu heshtjen.
KOK vazhdon në gjirin e vet ta ketë nënkryetar, një të dënuar me burg prej 9 muajsh, e vazhdon ta fusë edhe në listën e Kategorisë A, të sporteve të kategorizuara, duke i dhënë fonde publike një federate që nuk respekton as vendimet e KOK e as të MKRS-së.
Më e pakta që Komiteti Olimpik i Kosovës mund të bëjë, do të ishte largimi i FFK-së nga lista e Federatave që përfitojnë fonde publike nga MKRS, por KOK sot e asaj dite as këtë nuk e ka bërë, duke konfirmuar në heshtje përuljen ndaj Federatës që pretendon se është më e madhja në vendin tonë.
I gjendur para shumë sfidave dhe në beteja të hapura në shumë fronte, Agim Ademi tentoi që aleancën e vet ta koncentrojë me mediat, disa prej të cilave i joshi duke I marrë nëpër udhëtime zyrtare, apo edhe duke I punësuar në departamente të ndryshme Brenda FFK-së.
Në sektorin e Komisionit të Garave të FFK-së, në atë të menaxhimit të webfaqes dhe komunikimit me UEFA, FFK ka punësuar gazetarë dhe njerëz të mediave, ndërsa jashtë kësaj liste afër vetes ka arritur të ketë përfaqësues të mediave, të cilët në raste krizash do të reagonin me “lajme bombastike” dhe me propagandim të rrejshëm, për të orientuar opinionin kudo, përveç rastit të veprës penale me të cilën ngarkohet Ademi.