75 Mall Live Search
10:25 / E Hënë, 11 Maj 2020 / indeksADMonline

Higuain shtyn rikthimin dhe mendon qëndrimin në Argjentinë, mungon edhe Rabiot

Pritej që të mbërrinte në Torino fundjavën që lamë pas për të bërë tamponin dhe për të rinisur stërvitjen, por Gonzalo Higuain nuk ka udhëtuar akoma drejt Italisë, pasi do të qëndrojë edhe disa ditë në Argjentinë.

I larguar drejt atdheut të tij vetëm pak ditë pas ndërprerjes së kampionatit për shkak të pandemisë, sulmuesi argjentinas mësohet se ka marrë disa ditë lejë më shumë nga klubi bardhezi, për t’i qëndruar pranë nënës së sëmurë.

Megjithatë mediat pranë klubit të Juventusit aludojnë se Higuain nuk ka ndërmend të rikthehet në Torino dhe se po mendon seriozisht qëndrimin në Argjentinë te River Plate, skuadër në të cilën u rrit dhe u lancua në futbollin europian.

Kjo pasi me bardhezinjtë i ka mbetur edhe një vit kontratë, ndërsa së fundi ka dalë edhe jashtë planeve të trajnerit Maurizio Sarri, ndaj opsioni më ideal do të ishte kampionati argjentinas, ku do të mund të rrinte edhe pranë mamasë së tij të sëmurë.

Përveç Higuain, në Torino nuk është rikthyer akoma edhe mesfushori francez Adrien Rabiot, i cili pas një sezoni me shumë ulje-ngritje, mund të lërë Juventusin gjatë merkatos së verës, pasi kërkohet nga disa skuadra në Premier League.

Rabiot iu bashkua Juventusit verën e kaluar me parametra zero, pasi i kishte përfunduar kontrata me Paris Saint Germain, por aventura në kampionatin italian nuk ishte ashtu si pritej dhe përshtatja rezultoi më e vështirë se duhej.