Hoti, fajëson menaxherët e institucioneve, që kategoritë mjekësore nuk u përfshinë në pakot qeveritare

Në mesin e 1 mijë e 500 punonjësve shëndetësorë që nuk janë përfshirë në shpërblimet me nga 300 euro, pra nuk e kanë gëzuar këtë të drejtë që u takon sipas ligjeve të rrezikshmërisë, të pakënaqur ka edhe në stafin spitalor shëndetësorë të Spitalit të Përgjthshëm Rajonal të Pejës.
Disa kategori punonjësish nuk janë përfshirë në listën e pakos qeveritare për shpërblim me nga 300 euro.
Reagime ka gjithëandej Kosovës, ndërsa përfaqësues të SHSKUK-së thonë se padrejtësisht u privuan nga kjo e drejtë.
Xhemajl Selmani – Nënkryetar i SHSKUK-së flet për numrin e punonjësve shëndetësorë që padrejtësisht u privuan nga kjo e drejtë.
“Janë mbi 760 punonjës nëpër Spitalet rajonale dhe mbi 740 në QKUK të cilët nuk e kanë marrë këtë të drejtë që u takon sipas ligjeve të rrezikshmërisë.”-tha Selmani.
Ministria e Shëndetësisë, fajin për këtë problematikë e drejton nga Drejtorët Ekzekutiv të institucioneve respektive shëndetësore. Në rastin konkret për pakënaqësitë në Spitalin e Pejës, i bie që fajin ta bartë Dr. Skender Dreshaj që aktualisht është Drejtor Ekzekutiv i këtij institucioni.
Faik Hoti – Zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë, ka sqaruar se Ministria e Shëndetësisë nuk është marrë me përpilimin e listave. Hoti për këtë çështje, gishtin e drejton tek Drejtorët Ekzekutiv të institucioneve shëndetësore.
“Ka qenë në dorën e Drejtorëve Ekzekutiv të institucioneve shëndetësore që të përpilojnë listën e personave që kanë qenë në vijën e parë të rrezikut me virusin.”-tha Hoti.