I ndërprehet marrëdhënia e punës Drejtorit të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar se i është shqiptuar masa disiplinore ‘Ndërprerje e marrëdhënies së punës’ për drejtorin e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, Rrahim Rama.
Haxhiu bëri të ditur se është njoftuar se në mbi bazën e të gjeturave nga Komisioni Disiplinor për Pozitat e Nivelit të Lartë Drejtues është shqiptuar edhe masa disiplinore, për shkak të keqmenaxhimit, joprofesionalizimit, mungesës së transparencës dhe mosgatishmërisë për bashkëpunim, transmeton Indeksonline.
Tutje Haxhiu tha se i njëjti ishte zgjedhur në mënyrë të kundërligjshme.
Postimi i plotë:
Me 7 prill 2020, kemi iniciuar procedurën disiplinore ndaj drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.
Më 17 prill 2020, Qeveria mori vendim për themelimin e Komisionit për shqyrtimin e këtij rasti.
Sot, u njoftuam se mbi bazën e të gjeturave tona, Komisioni Disiplinor për Pozitat e Nivelit të Lartë Drejtues, ka shqiptuar masën disiplinore “Ndërprerje e marrëdhënies së punës” për drejtorin e kësaj Agjencie, për shkak të keqmenaxhimit, joprofesionalizimit, mungesës së transparencës, si dhe mosgatishmërisë për bashkëpunim në kryerje të detyrave të tij ligjore. Po ashtu i njëjti ishte zgjedhur në mënyrë të kundërligjshme.