Abazi: 100 ditë qeverisje me duar të pastërta, kështo do të vazhdojmë edhe në vitet që po vijnë

Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi, përmes një postimi në Facebook, ka folur për 100 ditëshin e Qeverisë Kurti.
Ai thotë se përkundër skenarëve për relativizim dhe rrëzim, Qeveria Kurti me devotshmëri maksimale ka dëshmu se erdh si vullnet i popullit për ditë të mira dhe punë.
Ai thotë se zyra e tij ka punuar me përkushtim dhe transparencë të plotë edhe në kushte e rrethana të pazakonta.
Ky është postimi i plotë i tij:
100 ditë qeverisje me duar të pastërta
Përkundër të gjithë skenarëve për relativizim dhe rrëzim të Qeverisë Kurti, me devotshmëri maksimale ne dëshmuam se erdhëm si vullnet i popullit për ditë më të mira dhe punë. Edhe në periudhë sprove botërore si pandemia e shkaktuar nga COVID-19, ne nuk e ndalëm punën as nga pengesat që u paraqitën – vetëm sa e shtuam energjinë dhe vrullin e punës.
Zyra e Zëvendëskryeministrit ka punuar me përkushtim dhe transparencë të plotë edhe në kushte e rrethana të pazakonta, në përmbushjen e objektivave dhe arritjen e sukseseve të matshme në kuadër të Kabinetit të Kryeministrit Kurti dhe në bashkëpunim e frymë profesionale me ministrat e linjës dhe Administratën Publike.
Duke nisur nga angazhimi i stafit profesional dhe meritor, deri në kryerjen e plotë të detyrimeve të marra përsipër, gjithmonë me qëllimin që të veprojmë drejt, shpejt dhe në shërbim të publikut dhe shtetit. Nga ditët e punës për planifikimin dhe manifestimin e ditës së Pavarësisë në kohë rekord; duke vazhduar në përgatitjen e programit të ditëve dhe ceremonisë madhështore të manifestimit të Epopesë së 22-të të UÇK-së; po ashtu me punën e palodhshme të shumë ekipeve për finalizimin e suksesshëm të Programit Qeverisës; deri te ndjekja hap pas hapi dhe nënshkrimin me sukses të marrëveshjes midis KOSTT dhe ENTSO-E për zgjidhjen njëherë e përgjithmonë të problemit të sektorit të energjisë në veri të vendit drejt bashkimit energjitik me Shqipërinë.
Është nxjerrë platforma për transparencë dhe llogaridhënie për fondet që jepen për OJQ-të; në vazhdimësi kemi punuar ngushtë me mediat në përgjigjje dhe rritje të nivelit të transparencës e llogaridhënies të institucioneve qeveritare; kemi realizuar takime dhe diskutime konsultuese me përfaqësues diplomatik në Kosovë dhe jashtë saj, kryesisht me BE dhe SHBA; kemi bashkërenduar aktivitetet e punës sonë bashkë me grupet e interesit mbi problemet e mjedisit, ujit, energjisë dhe organizatat për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve; është funksionalizuar Këshilli për Pozita të Nivelit të Lartë Lartë Drejtues, si dhe Komisionet Disiplinore për Pozita të Larta Drejtuese për të siguruar zbatimin e legjislacionit në fuqi në institucionet publike të vendit.
E një rëndësie të veçantë është padyshim ndjekja me shqetësim e problemeve të punëtorëve në sektorë të ndryshëm, përfshirë këtu disa nga pritjet në zyrën e Zëvendëskryeministrit përfaqësuesit e minatorëve, mullixhinjëve dhe punëtorët e fabrikave të gypave, duke u ofruar mbështetje dhe zgjidhje të problemeve të tyre në bashkërendim të ngushtë të detyrave edhe me Ministritë e sektorëve përkatës.
Me vizion e përkushtim pavarësisht dhe përtej vështirësive – një qeverisje serioze për ditën që erdhi e do të vazhdojë, sepse me 6 Tetor historia ka ndryshuar dhe drejtimi për çkapjen do të sjellë shtetin e bazuar në ligj e rend dhe që respekton të drejtën e çdo qytetari, por që nuk askënd të veprojë mbi ligjin.
Kështu do të vazhdojmë edhe në ditët e vitet që po vijnë!