200% çmimi më i shtrenjtë për parkingje në Prishtinë, ankohen qytetarët

Janë rritur ndjeshëm çmimet e parkingjeve në qendër të Prishtinës. Qytetarët shprehen të irrituar me çmimet e larta që së fundmi iu janë vendosur parkingjeve që menaxhohen në kryeqytetet nga komuna e Prishtinës, raporton IndeksOnline.

Derisa kohë më parë kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se do të shtrenjtohen çmimet e parkingjeve në qendër të Prishtinës, qytetarët po ankohen se nuk kanë pasur ndonjë paralajmërim.

Në njërin nga parkingjet më të mëdha në Prishtinë, ai prapa Pallatit të Rinisë që rëndom është i stërmbushur me vetura, këtë të enjte ishte thuajse i boshatisur.

Aty është ngritur çmimi në dyqind për qind, nga 0.50 cent sa ishte deri në përfundim të orarit të punës, tani është shndërruar në 1.50 cent.
Ndërsa qëndrimi për një deri në tri orë në këtë zonë llogaritet 0.30 cent
IndeksOnline ka kontaktuar në komunën e Prishtinës, për të kuptuar më shumë në lidhje me këtë çmimore të re.

Miranda Mullafazliu nga Zyra për Informim e komunës, i ka thënë IndeksOnline se vendimi për çmimore e re ishte marrë nga ana e Kuvendit Komunal.
“Në mbledhjen e shtatë të vitit 2019, Kuvendi Komunal miratoi rregulloren për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve të komunës së Prishtinës, përmes së cilës , të drejtën për menaxhimin e këtyre hapësirave e ka NPL Prishtina Parking Sh.A”, tha Mullafazliu.

Ajo ka thënë se me çmimoren e re, parkingjet që ndodhen në Zona I për një deri në dy orë do të paguajnë 1 euro, ndërsa po të duan të lënë veturën e tyre deri në përfundim të orarit, që i bie 9 orë, duhet të paguajnë 7 euro e gjysmë.

E për qytetarët që lënë veturat e tyre në Zonën II, për një orë e maksimumi 3 orë shfrytëzimi duhet të paguajnë 50 cent, ndërsa po të duan të lënë veturën gjatë tërë orarit të punës, duhet të paguajnë 5 euro.
Zona e tretë, e që është edhe parkingu më i madh në kryeqytet prapa Pallatit të Rinisë, tarifa për një orë është 0.30 centë, ndërsa ajo ditore tarifohet 1.50 centë.

IndeksOnline ka pyetur disa qytetarë të cilët janë ankuar në çmimoren e re, ku sipas tyre të rritet çmimi 200% përnjëherë kjo nuk është normale. Ata iu bëjnë thirrje zyrtarëve komunal t’i rishqyrtojnë çmimet në të kundërtën detyrohen t’i lënë veturat nëpër trotuare.
Ndryshe Prishtina gjatë ditëve të zakonshme është e stërngarkuar nga veturat dhe kolonat e gjata të cilët nuk janë vetëm gjatë orarit të punës, por thuajse gjatë tërë kohës./IndeksOnline/