30 persona e falën sot namazin e Bajramit në njërën prej xhamive të një fshati në Kaçanik

Pavarësisht se ditë më parë Bashkësia Islame konfirmoi edhe një herë që namazi i Fitër Bajramit nuk do të falet nëpër xhami, jo të gjithë e respektuan këtë.
30 persona në fshatin Biçec të Kaçanikut, besimtarë myslimanë bashkë me imamin falën namazin e Bajramit në xhaminë e fshatit.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi ka konfirmuar rastin ku tha se besimtarët në fjalë u hasën në xhami gjatë një kontrolli që policia po kryente në atë pjesë, teksa të njëjtit veçse kishin filluar faljen dhe kësisoj nuk u penguan, transmeton Indeksonline.
“Po, mund t’ua konfirmoj se në xhaminë e fshatit Biçec gjatë kontrollimit Policia ka hasur në 20, 30 persona banorë të fshatit të cilët kanë qenë duke e falur namazin e Bajramit. Ka pasur edhe persona të tjerë që kanë ardhur pastaj, por policia nuk i ka lejuar të futen në xhami. Personat të cilët kanë qenë në xhami nuk janë penguar, por do të merret masa ndaj tyre. Sigurisht që me ta ka qenë edhe imami i fshatit”, ka deklaruar Gashi.
Pas shfaqjes së rasteve të para me COVID-19, me vendim të BIK-ut, të gjitha xhamitë në Kosovë u mbyllën me 16 mars dhe për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi, nuk u hapën as për festën e Fitër Bajramit./Indeksonline/