Dy kërkesat e ministrit Vitia për hetim të tenderëve për abuzimet e çmimeve për pajisje mjekësore

Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga organet kompetente që të hetojnë tenderët për procedurat e negocioara gjatë kohës së pandemisë.
Ky institucion i udhëhequr nga Arben Vitia, të njëjtën kërkesë e bëri dy herë nga Policia e Kosovës dhe nga Autoriteti i Konkurrencës.
E njëjta ministri përmes kësaj letre ka fajësuar operatorët ekonomikë për fryerje çmimesh për produktet dhe pajisjet mjekësore.
“Ministria e Shëndetësië përmes Komisionit për mbledhjen e çmimeve referente në depot farmaceutike dhe barnatoret për furnizim emergjent me mjete për mbrojtje personale, barna dhe pajisje, hulumton tregun e sektorit privat, me ç’rast është konstatuar që çmimet momentale janë të fryra”, thuhet ndër të tjera në këtë letër.
Ministri Vitia, ka kërkuar hetim përmes kërkesës së bërë më 10 mars të këtij vitit, ende pa nisur pandemia, ndërsa të njëjtën e ka përsëritur më 12 maj.
Ministria e Shëndetësisë ka shpërblyer disa kompani me miliona euro për furnizim me materiale mbrojtëse kundër koronavirusit. Vet Sekretari i MSH-së Naim Bardiqi dje në Komisionin parlamentar për Shëndetësi ka thënë se kanë pranuar oferta me çmime deri në 20 euro për një mask FFP2, kontratë kjo e cila është anuluar.
MSH në disa lote ka paguar maskat deri në 8 euro e gjysmë, çmim ky që ishte shumë herë më i lart sesa çmimi në treg para se të fillonte pandemia.
Kujtojmë se hetime për këto tenderë të negociuar ka kërkuar edhe Komisioni parlamentar për Shëndetësi, pas dyshimeve të ngritura për keqpërdorime. /Indeksonline
