08:13 / E Mërkurë, 13 Nëntor 2019 / indeksADMonline

A do ta marr Supremja vendimin e njëjtë sikurse në Istog?

Në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në Istog, në balotazh, kandidati për kryetar komune i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gani Dreshaj kishte arritur ta mund kundërkandidatin nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugovën. Por, disa vota të ardhura jashtëligjshëm me postë nga Mali i Zi, Austria e Sllovenia, u bënë shkas që Gjykata Supreme të konfirmonte vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se ato vota janë të jashtëligjshme dhe se vendi duhet të shkoi në rivotim për shkak të parregullsive.

Është thënë se të njëjtat vota i ishin pranuar ndër vite Haki Rugovës, por ato u bënë të papranueshme në vitin 2017, kur fitues doli Gani Dreshaj.

Situatë pak a shumë e ngjashme është paraqitur edhe në zgjedhjet e 6 tetorit, por tani votat nuk kanë ardhur nga Mali i Zi, por nga Serbia.

Në fillim të gjitha subjektet politike, me përjashtim të Listës Serbe, kanë kërkuar që ato vota të mos numërohen dhe janë totalisht të ardhura jashtëligjshëm në Kosovë, ndërsa tani disa nga kandidatët e VV-së për deputet, vetëm pse po rrezikohen të mbesin jashtë Kuvendit, po kërkojnë numërimin e atyre votave.

Indeksonline ua sjell të plotë vendimin e Supremes, e cila konfirmonte vendimin e PZAP-së që votat e jashtëligjshme të mos llogariten.