12:53 / E Hënë, 12 Korrik 2021 / OSH

A do të bëhet Covid-19 një sëmundje që prek vetëm të rinjtë?

Një studim, i botuar në revistën Nature, ka treguar sesi pandemia po prek më shumë të rinjtë dhe cilat janë shkaqet. Studimi fokusohet në rritjen e rasteve midis të rinjve të cilët nuk janë vaksinuar ende dhe rolin që ata mund të kenë në përhapjen e pandemisë.

Izraeli ishte një nga vendet e para që rekomandoi vaksinimin kundër COVID-19 për adoleshentët e moshës 12-15 vjeç, një vendim i marrë në përgjigje të rritjes së rasteve në grupmoshat më të reja.

Fushata e shpejtë e vaksinimit në Izrael – me më shumë se 85% të të rriturve që janë vaksinuar tregoi një rënie të të infektuarve në fillim të qershorit. Por më pas incidenca filloi të rritej në më shumë se 100 në ditë, kryesisht tek grupmoshat nën moshën 16 vjeç, duke bërë që qeveria të miratojë vaksinimin për të gjithë adoleshentët.

Sidoqoftë një trend i ngjashëm është vënë re në të gjithë botën dhe mund të përshkruhet për momentin si “sëmundja e të pavaksinuarve, e cila është kryesisht e të rinjve”, sipas Joshua Goldstein, një demograf në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley.

Ky ndryshim po ndodh në shumë vende ku u është dhënë përparësi të moshuarve dhe të të rriturve. Infektimi moshave më të reja ka rritur interesin për studimin e transmetimit dhe prognozën e sëmundjes në grupmoshat më të reja.

Për të marrë vendime të tjera dhe më efektive duhet të kuptojmë ashpërsinë e sëmundjes tek fëmijët dhe adoleshentët,” tha Karin Magnusson, një epidemiologe në Institutin Norvegjez të Shëndetit Publik në Oslo.
Magnusson studioi efektet e COVID-19 tek fëmijët në Norvegji dhe tha se megjithëse fëmijët nuk kishin nevojë për kujdes mjekësor, ata duhej të ishin në kontroll të vazhdueshëm nga mjeku i tyre për 6 muaj.

“Ndërsa rreziku i infeksionit po zhvendoset tek të rinjtë, nevoja për vaksinimin e adoleshentëve po bëhet edhe më e domosdoshme,” tha Nick Bundle, një epidemiolog në Qendrën Europiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Stokholm.

Sidoqoftë, rreziku për zhvillimin e simptomave më të rënda tek fëmijët mbetet i ulët dhe në shumë vende ku shkalla e incidencës në një moshë të re është rritur, incidenca e përgjithshme është ulur.

Ne gjithashtu duhet të marrim parasysh jo vetëm situatën lokale por edhe globale.

“A është më mirë të vaksinohen fëmijët sesa të moshuarit, pasi kjo mund të ketë efekt shumë më të madh në mbrojtjen e njerëzve?” tha Jennie Lavine, nga Universiteti Emory në Atlanta, Georgia.

Infektimi i të rinjve në vendet me nivele të larta të vaksinimit kundër Covid është një fenomen interesant, por ka të ngjarë të jetë jetëshkurtër.

Shumë vende kanë filluar vaksinimin e të rinjve – siç është tashmë rasti në Izrael dhe Shtetet e Bashkuara por kombinimi i varianteve të reja dhe imuniteti i dobët mund ti bëjë ata më të ndjeshëm ndaj virusit./AbcNews.al/