22:07 / E Martë, 01 Dhjetor 2020 / OSH

A do të dekorohet këtë vit Vushtrria për festat e fundvitit? Flet Xhafer Tahiri

Këtë vit pandemia ka vënë në pikëpyetje dekorimin e qyteteve në Kosovë për festat e fundvitit.

Kryetar të shumtë të komunave vendosën që të mos dekorojnë sheshet e qyteteve por ato para t’i dedikojnë për bamirësi për shkak të ndikimit që pati pandemia në ekonomi.

Mirëpo, pati edhe kryetar të tjerë që vendosën t’i stolisitin komunat për t’i dhënë pak dritë këtij viti.

Por, qytetarët e komunës së Vushtrrisë ende nuk dihet nëse do të kenë kënaqësinë që të shëtisin në sheshin “Adem Jashari” me pamjen madhështore të stolive dhe dekorimeve shumëngjyrëshe të një bredhi.

Kjo pasi që ende nuk është nënshkruar ndonjë kontratë për dekorimin e Vushtrrisë.

Këtë e ka thënë për IndeksOnline kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

“Nëse arrijmë të nënshkruajmë kontratë, do të dekorohet qyteti i Vushtrrisë. Është një vit i rëndë edhe në aspektin psikologjik për fëmijët e familjet e Vushtrrisë dhe zbukurimi i qytetit do të krijonte një ndjenjë të një normaliteti për aq sa mund të ketë normalitet në këto rrethana pandemie. Po ashtu, nuk do të shpenzohen shuma të mëdha financiare”, tha ai./IndeksOnline/