11:42 / E Premte, 29 Maj 2020 / indeksADMonline

A do të jetë AKR pjesë e qeverisë, Behgjet Pacolli flet për IndeksOnline

Aleanca Kosova e Re (AKR) përfundimisht nuk do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës LDK-AAK-NISMA.

Por pavarësisht që nuk do të marr hise në institucionet e reja, votat e AKR-së në Kuvend do të shkojnë për formim të qeverisë Hoti.

Në një prononcim për IndeksOnline, kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se është çdo herë pro shtetndërtimit sepse ende ka punë në këtë drejtim.

“AKR nuk do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme, por ne do t’i sigurojmë votat tona për formimin e qeverisë Hoti. Jam çdo herë për ndërtim dhe integrim të shtetit. Unë shpresoj që qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti do të jetë e suksesshme”, ka thënë Pacolli.

I pyetur se nëse të shtunën thirret seanca për votimin e qeverisë, a do të jetë i pranishëm fizikisht në seancë pasi që ndodhet jashtë vendit, ka thënë se nëse nuk pengohet nga institucionet sigurisht që po

 “Unë jam deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe nëse nuk pengohem të futem në Kosovë, sigurisht që do të jem i pranishëm kurdo që thirret seanca për votim të qeverisë”, ka deklaruar Pacolli./IndeksOnline/