10:54 / E Enjte, 30 Mars 2023 / AR

A do të ketë edhe nivel rajonal qeverisës edhe Asociacion, flet drejtori i AKK-së

Ujdia e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, ndonëse e panënshkruar iu ka dhënë mundësi përfaqësuesve të dy shteteve për ta interpretuar në forma të ndryshme. Megjithatë, çështja e asociacionit është tema kryesore e kësaj marrëveshje, për të cilën kryeministri Kurti ka thënë se ka asociacion, por pa kompetenca ekzekutive.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi për Indeksonline thekson se sipas kësaj marrëveshje ka mundësi që të kemi edhe rajon vetëmenaxhues por edhe asociacion, duke përmendur pikën 7 të marrëveshjes. Ai thotë se Asociacioni parashihet të formohet duke u bazuar në zotimin se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më herët duhet të zbatohen.

Ibrahimi bën të ditur se në bazë të Nenit 10 “E drejta për asociacionin e autoriteteve lokale” të Kartës Evropiane mbi Vetëqeversjen Lokale kemi të bëjmë me një mekanizëm i cili nuk ka kompetenca ekzekutive.

“Pra me Kartën Evropiane mbi Vetëqeversjen Lokale nuk mund të krijohet një Asociacion i cili ka kompetenca ekzekutive por vetëm një mekanizëm, shoqatë e cila i mbron interesat e autoriteteve lokale”, thotë ai.

Ibrahimi mendon që Karta Evropiane mbi Vetëqeversjen Lokale shfrytëzohet te neni 7 i marrëveshjes Kosovë- Serbi ku thuhet që do të sigurohet një nivel i përshtatshëm të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane.

“Këtu nuk thuhet një nivel të vetëmenaxhimit të komunave me shumicë serbe por thuhet të komunitetit serb. Dhe pasi që është dallim substancional atëherë me këtë mund të aludohet apo mund të kemi të bëjme me krijimin e një niveli të ri qeverisës në Kosovë e që është niveli rajonal qeverisës, pra krijimi i një rajoni qeverisës ku komuniteti serb (jo komunat) mund të vetë-menaxhoj shërbime në fusha specifike dhe që nga ky nivel qeverisës mund të barten kompetenca edhe te komunat të cilat mund të jenë pjesë e këtij rajoni por edhe që ky rajon mund të jetë kanal komunikues i komunave me shumicë serbe të këtij rajoni me nivelin qendror. Pra, edhe Karta Evropiane mbi vetëqeversje lokale njeh nivelin rajonal qeverisës por edhe kemi modele të tilla në Evropë por po besoj që rrethanat politike nuk janë të njejta. Sa i përket nivelit rajonal qeverisës në Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale mund t’i referoheni Nenit 4 pika 4 dhe 5”, thotë Ibrahimi për Indeksonline.

“Pra, nëse bazohemi se çka thuhet në marrëveshje, pra që mund të bazohemi në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane atëherë mund të kemi edhe nivelin rajonal vetë-menaxhues për komunitetin serb (jo për komunat) por edhe një Asociacionin tjetër të Komunave”, u shpreh ai./Indeksonline/