75 Mall Live Search
20:02 / E Mërkurë, 05 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

A duhet të jetë Shpend Ahmeti pjesë e ekipit negociator, flasin analistët

Hartimi i një platforme dhe miratimi i saj nga Kuvendi i Kosovës po konsiderohet si një “çelës” për vazhdimin e bisedimeve Kosovë – Serbi. Por pas gjithë periudhës së pezullimit të bisedimeve, emra dhe propozime të reja po dalin në pah, nën arsyetimin se janë të duhurit për të vazhduar bisedimet me shtetin serb.

Njëri nga emrat që po lakohet është edhe Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti. Të paktën kështu është diskutuar ditëve të fundit, ku pritej që në krye të ekipit negociator të vije vet Ahmeti.

Analisti politik, Ramush Tahiri në një prononcim për Indeksonline është shprehur se tashmë vetëm ka shenja të bashkëpunimit të Qeverisë Haradinaj me Partinë Socialdemokrate.

Tahiri ka theksuar se kjo është vërejtur me marrjen pjesë në seanca plenare, duke i bërë numrat në Kuvend dhe po ashtu duke votuar ligje të caktuara.

“Shpend Ahmeti dhe Partia Social Demokrate e Kosovës ka treguar shenja të bashkëpunimit me Qeverinë Haradinaj dhe me koalicionin qeverisës duke marr pjesë në seancat plenare të Kuvendit duke i bërë numrat e kuorumit dhe duke votuar për ligjet e caktuara”, ka thënë Tahiri.

E gjithë kjo po vazhdon me bërjen e platformës së bisedimeve të Kosovës me Serbinë, ku edhe kanë arritur konsensus.

“…bërjen e platformës së bisedimeve të Kosovës me Serbinë në të cilën kanë paraparë konsensus në vendimmarrje si dhe referendum konstativ për marrëveshjen e gjithashtu kanë ofruar bashkëqeverisje në Ekipin e Unitetit duke propozuar një nga pozita, një nga opozita dhe një nga shoqëria civile që konkretizohet në personalitetet Limaj-Ahmeti-Surroi … e që PSD e shpjegon si realizim të programit të saj partiak, kontribut për Kosovën dhe zgjidhje fatlume për dialogun dhe normalizim të marrëdhënieve me Serbinë” ka thënë Tahiri në prononcimin e tij për Indeksonline.

Por, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike Donik Sallova nuk po e konsideron Ahmetin si person politikisht kredibil.

Ai është shprehur se edhe partia që Ahmeti drejton nuk ka dal nga vota e elektoratit, por nga vota e elektoratit të Vetëvendosjes.

“Unë besoj që Shpend Ahmeti nuk është politikisht kredibil për ta përfaqësuar Kosovën në negociata, sepse e para si parti dhe si grup parlamentar nuk kanë dal nga vota e elektoratit te PSD-së, por nga vota e elektoratit te VV-së”, u shpreh Sallova.

Madje ai Shpend Ahmetin po e konsideron si të papërvojë në qeverisjen nacionale apo përvojë politike qe lidhet me negociatat.

“Po ashtu, Ahmeti nuk ka ndonjë përvojë në qeverisjen nacionale apo përvojë politike që lidhet me negociatat, pra edhe legjitimiteti profesional konsideroj që i mungon”, ka thënë Sallova.

Kurse, të gjithë përpjekjen e Ahmetit për t’u bërë pjesë e ekipit negociator, Sallova po e sheh si përpjekje e personit në fjalë për të vënë bazat e bashkëpunimit politik të ardhshëm me AAK dhe Nismën.

Lidhja Demokratike e Kosovë dhe Vetëvendosja nuk po e shohin të arsyeshme krijimin e një ekipi nogociator, pasi po konsiderojnë se qeveria aktuale e ka humbur legjitimitetin.

Madje, sipas Sallovës nëse këto dy parti, apo të paktën njëra nga to, nuk përfshihen në negociata nuk mund të konsiderohet si ekip uniteti.

“Pa përfshirjen e LDK dhe VV ne negociata, apo te paktën njërën prej tyre, nuk mund te konsiderohet se ekipi negociator është plotësisht gjithëpërfshirës” ka përfunduar Sallova.

Ndryshe, deri më tash ai që ka udhëhequr bisedimet me Serbinë ka qenë vetë presidenti Hashim Thaçi, i cili më nuk e ka mandatin nga Kuvendi i Kosovës që t’i udhëheqë bisedimet. E gjithë kjo ka ardhur si rezultat i idesë së presidentit Thaçi, për korrigjimin apo ndryshimin e kufirit. Ide kjo që nuk është mbështetur nga askush prej spektrit politik./Indeksonline/