17:30 / E Martë, 07 Shkurt 2023 / k.v

A është Plani franko – gjerman Made by Albin Kurti?!

Shkruan: Rexhep HOTI

Një letër me disa pika, e hartuar në formë deklarative, por që në vetvete e përmban përkatësinë e shtetit francez dhe gjerman, si dhe mbështetjen e ShBA-së, e bën gjithçka me peshë në brendësinë e saj.

Më shumë sesa kaq, Plan franko-gjerman, edhe kështu si është e avancon përmasën ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, pavarësisht se shqiptarët e kanë të vështirë demonstrimin e një qëndrimi të njëjtësuar.

I gjithë plani ka të bëjë në të vërtetë me legjitimimin e mëtutjeshëm ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, në njërën anë dhe, me lehtësimin ‘e dhimbjes’ së Serbisë për pranimin real të këtij shteti, në anën tjetër (‘Asociacioni’, i legjitimuar qysh kur nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës – 2015 dhe nga klasa e saj politike, përjashto Albin Kurtin?!).

Arsyetimi i Planit franko-gjerman mbështet ekskluzivisht në ‘normalizim’ për të mos lënë shteg për ‘konflikt të hapur’, që në vetvete ndonëse është një arsyetim popullor, përbrenda e ruan kuptimin e nënshtresuar strategjik.

Prej reflektimeve të shtetit fqinj – Serbisë, duket i mundshëm pranimi i këtij Plani brenda të cilit pranohet avancimi ndërkombëtar i shtetit të Kosovës. Por serbët thonë se kanë arritur ta heqin njohjen reciproke.

E çka pastaj?!

Ndoshta është koha të shtrohet pyetja se në interes të kujt është njohja reciproke ndërmjet Serbisë dhe Kosovës?! Kush humb e kush fiton më shumë me njohje reciproke?! A është njohja reciproke e barasvlershme?! A është e domosdoshme apo e nevojshme që Serbia ta njohë Kosovën e Kosova ta njohë Serbinë?!

Një gjë është e sigurt! Përgjigjja reale në këto pyetje e hap shtegun që e bën krejt të pavlerë peshën e ‘luftës’ për njohje reciproke.

Shqiptarët, në nivel kombëtar, do të duhej ta shoshitin mendimin se a mund të jetë kërkesa për njohje reciproke në thelbin e saj në kundërshtim me perspektivën e interesave vitale kombëtare shqiptare?!

Por, a mund të përgjigjen shqiptarët në këtë pyetje me një mendim të njëjtësuar si komb, gjersa institucionet e tyre shtetërore, ato që do të duhej të ishin të pavarura, autonome e akademike, historikisht dhe sot e këtë ditë, kanë funksionuar me emra të përveçëm të sunduesve të vegjël shqiptarë?!
dhe pyetja që mund të shtjellohet, ndër shumë të tjera, në vazhdim është: A flenë e vërteta se Plani franko – gjerman është prodhim i drejtpërdrejtë apo i tërthortë i politikave dhe i strategjisë Made by Albin Kurti dhe ku është vendi i opozitës në këtë drejtim, e cila i ka pranuar të gjitha kushtet që sot i kërkon Serbia në këmbim të këtij Plani?!, nga ‘Asociacionin’ e tutje?!
Dhe krejt në fund, në qoftë se Gjykatat Kushtetuese, pas Parlamentit të Republikës së Kosovës e legjitimoi ‘Asociacionin’, atëherë lind pyetja, a është legjitimimi i ‘Asociacionit’ brenda rendit kushtetues të Kosovës edhe një pranim zyrtar – de facto ndërkombëtar në Krye me ShBA-në (shtetet e Quintit), si prodhim Made by Albin Kurti?!