15:20 / E Enjte, 04 Qershor 2020

A ishin dallimet ideologjike që shkatërruan marrëdhënien LVV-LDK?

Shoqëria kosovare nuk arriti ta gëzoj mirëqenien e qenies Hajdeger-jane, edhe për shkak se dallueshmëritë e mëdha ideologjike në mes të LDK-së dhe VV-së nuk ishin trajtuar detajisht. Ato vetëm ishin identifikuar si dallueshmëri, por ishin lënë me një anë sa për t’u tejkaluar, pa e menduar që do të ishin pikërisht këto dallime substanciale ideologjike, të cilat do ta bënin që ky koalicion të mbyllte kapitullin e tij, me vetëm 50 ditë qeverisje.

Shkruan: Alban Berisha

Filozofi austriak Karl Popper i përkufizonte ideologjitë si sisteme mendimi që zotërojnë idetë, dhe në një farë mënyre kanë karakter ndikues.

Termi ideologji është futur në përdorim nga filozofi francez Dastiny De Tracy në fillim të shekullit XIX-të, për t’i dhënë kuptim doktrinës së ideve. Por me ideologji nenkuptojmë më shumë se një ide; në fakt ideologjitë janë tipe ideshë të cilat i hasim në ekonomi, në kulturë, në religjion e poashtu edhe në politikë dhe i njohim si ideologji politike. Në politikë ato ndahen në ideologji liberale, konservatore, socialiste e deri tek ideologjia anarkiste. Përtej ndarjes në tipet e saj, ajo në vetvete është një grup parimesh, normash dhe rregullash që përcaktojnë se si funksionojnë organizimet shoqërore në substancën e ideve të tyre. Prandaj duke ditur se sa i rëndësishëm është dallimi ideologjik në politikë dhe në politikbërje, dhe duke parë se sa shumë dallime ideologjike ka patur në koalicionin në mes LDK-së dhe VV-së, është e rëndësishme që këto dallime t’i shtjellojmë, me qëllim që ta kuptojmë esencën e problemit në mes këtyre dy subjekteve.

Ku qëndrojnë idelogjikisht dy subjektet politike, cfarë përfaqëson Lëvizja Vetëvendosje e cfarë Lidhja Demokratike e Kosovës?

Lidhja Demokratike e Kosovës si subjekti i parë demokratik në vend, i themeluar me 23 dhjetor 1989-të, orientim ideologjik ka spektrin e partive të djathta ose konservatore. Ajo ishte krijuar nga një elitë intelektualësh nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, dhe që nga dita e themelimit, ky subjekt politik njëherë si lëvizje e më pas edhe si parti politike, ka pasur orientim ideologjik iden konservatore të cilën e ka edhe të shkruar në formë normative në statutin e saj politik. Në nenin dy të dispozitës themelore të stautit thuhet, “LDK-ja është parti politike e qendrës së djathtë, e anëtarëve të lirë dhe të përgjegjshëm, të cilët veprojnë mbi bazë të statutit, për të arritur objektivat e përcaktuara në programin e saj politik.” Për me tepër, LDK-ja ka forcuar pozicionin e saj normativ ideologjik, me antarësimin e saj në familjen e partive popullore evropiane të njohura si EPP, parti këto të cilat kanë përcaktim ideologjik konservator, tek të cilat si edhe te LDK-ja gjejmë mbrojtjen e vlerave të lirisë, mbrojtjen e vlerave të familjes, apo edhe konceptin demokratik të tregtisë së lirë si vlerë e zhvillimit ekonomik. Ndryshe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje është e kundërta e të djathtës konservatore. Bazuar në statutin dhe programin politik tëLVV ka përcaktim ideologjik të majtë, ose thënë ndryshe është subjekti i vetëm tipik socialist në Republikën e Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje konsiderohet se u themelua në qershor të vitit 2005 kur në muret përreth selisë së UNMIK-ut janë shkruar parullat “JO NEGOCIATA VETËVENDOSJE”, duke shënuar kështu avancimin definiti të KAN (Rrjeti i aksionit për Kosovën) në Lëvizja Vetëvendosje. Aksionet e shkrimit të parullave janë paraqitur në të gjitha qendrat e Kosovës. Në krye të Lëvizjes Vetëvendosje, që atë kohë nuk ishte e regjistruar si subjekt politik, u vu Albin Kurti. VETËVENDOSJE mbante qëndrime kontestuese të shoqëruara me dilema e pikëpyetje ndaj ideve e proceseve politike në vend. Negociatat në Vjenë, pakoja e Presidentit Marti Ahtisari që coi Kosovën drejtë pavarësië, dialogu Prishtinë-Beograd janë proceset politike që Vetëvendosje i ka refuzuar si të tilla që ndihmojnë pozicionin e Kosovës në forcimin e brendshëm dhe ndërkombëtar të saj. Qasja ndaj proceseve dhe veprimet kundershtuese politike ndër vite e kane shpjegimin e vet dhe ai buron në bazën ideologjike mbi të cilën qëndron dhe është ndërtuar Lëvizja Vetëvendosje. Ajo çfarë përfaqëson LVV në aspektin ideologjik është pikërisht idea për të ndryshuar thuajse rrënjësisht Kosovën, dhe këtë e vërteton edhe dispozita e parë themelore e statutit të saj në të cilën dispozitë thuhet: “Lëvizja Vetëvendosje është lëvizje politike që synon faktorizimin e popullit në vendimmarrjen politike nëpërmjet organizimit dhe mbilizimit të tij, Lëvizja Vetëvetndosje angazhohet për ndryshime rrënjësore shoqërore dhe politike, duke u mbështetur në parimin e barazisë, të demokracisë, të lirisë politike dhe të drejtësisë sociale të çdo qytetari.”

Nisur nga ky nen themelor, por edhe nene të tjera në statutin e LVV-së, siç është shembull, votimi i drejtëpërdrejtë i organeve të partisë në nenin 28-të, pra votimi “një aktivist një votë”, tregon se LVV është subjekt politik i qendrës së majtë, ku si çdo subjekt i majtë tjetër ka për synim parimin e barazisë, drejtësinë sociale si dhe votën e drejtëpërdrejtë, karakteristika këto të subjekteve me ideologji të majta. Pra, bazuar në atë çfarë përfaqësojnë këto dy subjekte politike në aspektin ideologjik, shohim se ato dallojnë thellësisht në mes vete, nisur nga mënyra se si e shohin shtetësinë e Kosovës. Për shembull, LDK është angazhuar të krijoj një shtet të pavarur me rregullin dhe rendin demokratik vleror që ka Kosova, duke e parë atë nga aspekti konservator i zhvillimit, me ekonomi të lirë të tregut dhe në mbrojtje të vlerave të lirisë.  Nga ana tjetër, LVV ka për synim statutar ndryshimin shoqëror e politik në Kosovë. LVV e sheh këtë ndryshim nga këndvështrimi socialist i zhvillimit të vendit, përmes parimeve të barazisë apo drejtësisë sociale, që nënkupton se në rendin ekzsitues ka shumë pabarazi dhe këto duhet ndryshuar rrënjësisht. Vetëvendosje është në të drejtën e saj kur kritikon keqmenaxhimin në ndërmarrjet publike, vendnumërimin për shkak të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe kur denoncon kapjen e shtetit.                                                                                                                         

Por nga këndvështrimi ideologjik, me kaq shumë dallime ideologjike, vihet në pikëpyetje fakti që këto dy subjekte, së pari arritën të ndërtojnë koalicion bashkëqeverisës.

Tejkalimi i ideologjisë për të qeverisur me vendin

Vetëvendosje dhe LDK tejkaluan ideologjitë politike që përfaqësojnë për të ndërtuar koalicionin që do të qeveriste me Kosovën të paktën për një mandat katër vjecar. Duket se liderët e tyre politik i bashkoi dicka më e madhe se ideologjia politike. Në rastin më të mirë ishte dëshira e tyre që më në fund të punohet në të mirë të qenies njerëzore në këtë vend. Ishte pak a shumë diçka si qëllimi i Daseint-it për ta kaluar vetveten, e për të qenë qenie në shërbim të qenies, të cilin shpjegim e gjejmë tek filozofi gjerman Martin Hajdeger kur e shpjegon qenien. Pra qëllimi i fundëm i këtij koalicioni, ishte që këto subjekte politike tërë qenien e tyre ta vendosin në shërbim të shoqërisë kosovare. Këtë e vërtetojnë edhe deklarimet e të dy subjekteve politike të cilat u shprehen hapur për një koalicion që do zgjaste katër vite, e me shumë mundësi vazhdimi edhe për një mandat tjetër katër vjeçar. Por jo vetëm kaq; këto dy subjekte politike si LDK-ja poashtu edhe VV-ja, në programet e tyre kishin vendosur synime politike që realisht janë përtej koncepteve ideologjike të të dy subjekteve, pra kishin vendosur synime që janë përtej të djathtës dhe të majtës, e që janë synime substanciale për ta rregulluar në thelb jetën e qytetarëve të Kosovës. Këto synime i gjejmë edhe në planprogramet e tyre, shembull tek LDK-ja pikë e parë programore ishte rregullimi i sundimit të ligjit, ku në atë pikë theksohet se shteti i kapur nuk mund të çkapet pa një transformim rrënjësor të sistemit të drejtësisë. Të njëjten gjë, pra të njëjtin synim i cili kalon pikëpamjet ideologjike e gjejmë edhe tek VV-ja, ku marrim shembull, pikën programore që ky subjekt e ka quajtur si alternative për drejtësi, në të cilën thuhet se shteti i së drejtës është bazamenti i drejtësisë, demokracisë dhe zhvillimit. Është e pamundshme që një shoqëri të jetë e drejtë dhe të zhvillohet po qe se nuk ndërtohet mbi parimin e sundimit të ligjit dhe të barazisë së qytetarëvë para ligjit. Përveç theksimit të temës së drejtësisë që të dyja subjektet e kanë patur pjesë themelore të programit të tyre, vetingun në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit. Dy subjektet politike kanë premtuar rikthimin e shpresës tek qytetarët duke trumbetuar se ato janë mundësia e vetme drejtë një qeverisje të mirë. Bazuar në qëllimin e tyre themelor, dy subjektet politike pas disa raundeve të bisedimeve, arriten ta kalojnë ngërqin e tyre, pra arriten t’i menjanojnë problemet që kishin dhe ta ndërtojnë një koalicion për të qeverisur së bashku, më synim që të arrinin pikërisht atë të mirën që synohej e që ishtë mirëqenia e qenies.

Kosova nuk e gezoi qeverisjen e mirë të premtuar prej vitesh nga LVV dhe LDK

Shoqëria kosovare nuk arriti ta gëzoj mirëqenien e qenies Hajdeger-jane, pikërisht për shkak se dallueshmëritë e mëdha ideologjike në mes të LDK-së dhe VV-së nuk ishin trajtuar detajisht. Ato vetëm ishin identifikuar si dallueshmëri, por ishin lënë me një anë sa për t’u tejkaluar, pa e menduar që do të ishin pikërisht këto dallime substanciale ideologjike ato të cilat do ta bënin që ky koalicion të mbyllte kapitullin e tij, vetëm me 50 ditë qeverisje, pa çka se qëllimi që subjektet politike kishin, ishte që të koncentroheshin në atë që këto dy subjekte e quanin rikthimi i shpresës.

Dallimet ideologjike që nuk janë trajtuar për tu zgjidhur por janë anashkaluar, hasen në javët e para të qeverisjes, kur temat boshte të shtetësisë u vendosën në tavolinë, ndërsa LVV dhe LDK nuk dakordoheshin për trajtimin e tyre.

Si çështje që u ngrit si problematike në mes të dy partnerëve qeverisës, ishte raporti i Republikës së Kosovës me partenerët strategjik të saj, e në veçanti marrëdheniet bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë raport, tek LDK-ja e gjejmë si element thelbësor të tyre, madje ky subjekt në programin e saj bashkëpunimin me SHBA-në e sheh si ekzistenical në orjentimet gjeostrategjike të Kosovës.  Aty ndër të tjera thuhet: “LDK angazhohet që Republika e Kosovës të mbajë orientim të qartë gjeostrategjik, properendimor, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe me vendet e BE-së.” Mund të nënkuptohet se çdo çarje e raportit në mes të Kosovës dhe SHBA-së, LDK-në do ta largonte nga koalicioni. Lëvizja Vetëvendosje, partneritetin me SHBA-në e sheh në kuadër të partneritetit të përgjithshëm ndërkombëtar. Në programin politik të LVV-së thuhet se: “marrëdhëniet me shtetet tjera duhet të bazohen në dy parime bazë, që janë parime të marrëdheieve ndërkombëtare, njohja dhe respektimi i ndërsjellë i lirisë, pavarësisë dhe vetëvendosjes dhe interesi reciprok per bashkëpunim. Kosova duhet të jetë e hapur të bashkëpunojë me secilin shtet dhe në çfarëdo lloji bashkëpunimi sa kohë që këto parime nuk shkelen.”

Nisur nga ky dallim që është edhe ideologjik për politiken e jashtme, të dy partnerët qysh në ditët e tyre të para, kishin mospajtime sa i takon raportit të Kosovës me SHBA-në dhe qasjes që Kosova duhet të ketë karshi kërkesave e rekomandimeve që vijnë nga aleati kryesor i saj.  Tarifa ndaj mallrave të Bosnje e Herzegovines e vendosur ndaj Serbisë nga ish-qeveria Haradinaj, po kërkohej nga SHBA të largohej menjëherë. Ishte refuzimi i ish Kryeministrit Kurti dhe insistimi I LDK-se per te kundërtën, ajo që i përplasi këto dy subjekte të cilat sapo kishin filluar këtë bashkëqeverisje.

Lëvizja Vetëvendosje, po pretendonte që tarifa nuk duhet larguar pa vendosur reciprocitetin ani pse kishte këkresë imediate nga SHBA, kurse LDK ishte në pajtueshmëri më SHBA-në që tarifa të largohej pa kushte. Për shkak të situatës së mjegullt nëpër të cilën po kalon Kosova është ende herët të gjykohet se kush kishtë me shumë të drejtë.

Kryeministri Kurti me datën 27-të shkurt 2020-të nëpërmes një komunikate për media shpalosi vendimin të tij, që taksa të hiqej e përshkallëzuar, e cila poashtu do të shoqërohej me vendosje të reciprocitetit ndaj Serbisë, gjë e cila nuk ishte ajo çka kishin kërkuar SHBA-të, dhe çka kishte kërkuar partneri i saj qeverisës.

Si rrjedhojë e këtij dallimi që është edhe ideologjik në qasje ndaj partneritetit me SHBA-në, bashkëpunimi qeverisës po lëkundej dukshëm, e sikur të mos mjaftohej me kaq, mospajtimet, me theks të veçantë në vlerat e lirisë së shprehjes që përktheheshin në tregimin se cili është i forti i koalicionit, kishin filluar të bëhen të dukshme. Mediat dhe debatet politike në studiot televizive u vërshuan nga të dy subjektet e koalicionit të cilat kundërshtonin njëra tjetren për qasjen e tyre si për brenda funksionimit qeveritar, poashtu edhe në problemet që tani më u shfaqën shfaqur lidhur me tarifen në mallërat që importoheshin nga Serbia dhe Bosnje dhe Herzegovina.

Në mes të muajit mars, në kohën kur COVID-19 goditi edhe Kosovën, Agim Veliu, Ministër i Mbrenshëm, njëkohësisht nenkryetari i LDK-së, shfaqi idenë e tij pro gjendjes së jashtëzakonshme në television kombëtar. “Personalisht jam që të ndërmerren të gjitha masat në mënyrë që të mbrohemi, sepse numri i të prekurve po rritet nga ora në orë. Nuk është këtu çështja a jemi me kryeministrin apo presidentin, por duhet të jemi sa më të organizuar, sepse ne jemi në shërbim të Kosovës. Po duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme,” citohet të ketë thënë Veliu, duke folur për gjendjen e jashtëzakonshme.  

Pikërisht këtu, kemi ballafaqimin ideologjik të dy subjekteve, kjo pasi deklarata mediale e ministrit të brendshëm, kryeministrit Albin Kurti, rezultoi e papërshtatshme. Por ballafaqimi ideologjik nuk ishte në aktin e shkarkimit, sepse si shkarkim është akt politik, por ishte në arsyetimet e shkarkimit të tij, në të cilat arsyetime Qeveria e Republikës së Kosovës  arsyeton vendimin mbi bazën se ministri është shprehur kundër qëndrimit të kryeministrit, dhe rrjedhimisht sipas kësaj ai ka dëshmuar mungesë të lartë në lidership duke përhapur panik në opinionin publik.

Nisur nga arsyetimet e shkarkimit rezulton se ministri i brendshëm është shkarkuar se ka menduar ndryshe nga Kryeministri, dhe shprehja e mendimit ndryshe është ndëshkuar nga Kryeministri.

Vlerat e dëshmuara në vendimin e shkarkimit cënuan dukshëm raportin edhe ashtu të cënuar, në ms të dy subjekteve. Nëpërmes kësaj teme dhe aktit të shkarkimit, është tentuar të tregohet se kush është i forti në këtë bashkëqeverisje, pa çka se edhe deklarata paraprake e ministrit tregon një dëshirë për të dominuar me anë të ideve.

Në fakt ne këtu specifikuam vetëm dy dallime substanciale ideologjike që këto dy subjekte kishin gjatë qeverisjes së tyre, por në tërësinë e dallimeve ideologjike janë më tepër se dy, janë shumë më shumë. Ato u shpërfaqën edhe në debatin e mocionit të rrëzimit të qeverisë, por i vërejmë edhe sot në diskursin publik që këto dy subjekte përdorin ndaj njëra tjetrës. Sa për ilustrime të mëtutjeshme, sot degjohen referenca të ndryshme të cilat i përdorin ndaj njëra tjetrës. Vetëvendosje i referohet LDK-së si “ata të vjetrit” me tendencën se çdo gjë e vjetër duhet luftuar, dhe LDK paralajmëron se nuk do të lejohet anarkia, një shprehje që paragjykon veprimet dhe situatën politike që kinse rrezikon të rrëshqasë në anarki.

Mësimet që duhet të mbahen në mend nga situata të tilla

Praktika e vendeve perëndimore tregon se subjektetet politike me ideologji të ndryshme nga njëra tjetra nuk bashkëqeverisin. Subjektet politike në Kosovë të ndodhura para situatave të domosdoshme për bashkëqeverisje, duhet së paku t’i shtjellojnë dallimet ideologjike, nisur nga normat statutare, pikat programore ideologjike që tregojnë pozicionin ideor të subjekteve.

Por për ta bërë këtë duhet një qasje e dyanshme kooperuese, çka nënkupton se për t’i rregulluar dallimet ideologjike në bisedimet në mes palëve duhet së pari të ketë vullnet për t’i pranuar ato dallime nga të dyja palët, e më pas siç thotë edhe John Raëls, filozof amerikan, “të pajtohemi për kushtet e paanshme të kooperimit me qëllimin që në fund përfitimi të jetë reciprok.”

Dallimet duhet të trajtohen detajisht, duke sqaruar edhe zbatimin praktik të formës së qeevrisjes. Vetëm identifikimi i dallimeve, pa i sqaruar se si funksionojnë në praktikë, rrugës shfaqë probleme të theksuara në pozicionimin e palëve në qeveri.

Pra, ideologjitë politike janë substanca e ideve mbi të cilën organizohen dhe funksionojnë subjektett politike por sic thotë edhe Hajdegeri, “ne duhet të kujdesemi që ta menaxhojmë qenien tonë, që më pas të mundësojmë arritjen e transformimit në të mirë të qenieve të tjera.”

Mos i humb