14:32 / E Mërkurë, 16 Shtator 2020 / indeksADMonline

A mundet Kosova ta kushtëzojë themelimin e Asociacionit të komunave serbe me njohje? Flasin analistët

Deklarata e këshilltarit të kryeministrit Avdullah Hoti, Xhavit Beqiri, se Kosova do të kushtëzojë zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe me njohje reciproke, po shihet me skepticizëm nga njohësit e rrethanave politike në vend, shkruan IndeksOnline.

Analisti politik, Ramush Tahiri në një prononcim për IndeksOnlinen tha se së pari duhet kuptuar qartë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe, vjen si pasojë e krijimit të komunave njëetnike, proces ky që derivon nga decentralizimi i komunave.

Mirëpo Tahiri ka thënë se edhe pas këtij procesi, e me krijimin e komunave serbe e 10 prej tyre, nuk ishte menduar se serbët do të kishin nevojë për autonomi më të madhe se kaq.

Ndonëse nënshkrimi për themelimin e këtij asociacioni ishte bërë në vitin 2013 nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi dhe në vitin 2015 nga kryeministri i asaj kohe Isa Mustafa, konstatimet e Gjykatës Kushtetuese se kishte mospërputhje të statutit të këtij asociacioni me Kushtetutën e vendit, ende edhe pas 5 vjetësh nuk janë adresuar.

“Në vitin 2015 Gjykata Kushtetuese ka bërë vërejtje dhe ka thënë që  nuk është në harmoni me Kushtetutën dhe e ka kthy për përmirësim. Kjo nuk është përmirësuar qysh ka thënë Gjykata Kushtetuese dhe ne nuk kemi dokument të ri. Tani mbi këtë bazë, presidenti tha se nuk bën me u rikthy në Bruksel edhe njëherë çështja e Asociacionit…, kur është përfunduar. Është bërë marrëveshja paraprake dhe institucionet e Kosovës është dashur me e ba tekstin e ri, statutin e ri në bazë të vendimeve të gjykatës.

Tash edhe për mu është e pakuptimit me shku në Bruksel me diskutu për Asociacionit… pa e pasur tekstin e ri siç duket në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Tahiri për IndeksOnline.

Ndonëse në këtë kohë ishte krijuar  ekipi menaxhues për themelimin e Asociacionit… në përbërje prej katër anëtarësh,  Vinka Radosavleviq, Igor Kallamar, Dejan Radojkoviq dhe  Svetisllav Durlleviq, asnjë dokument nuk i ishte dorëzuar palës kosovare. Për këtë Tahiri ka një përgjigje.

“Është krijuar një këshill që ndërton dokumentet dhe statusin, ai është bërë prej katër serbëve, ky komision, nuk e kanë dorëzuar institucioneve të Kosovës, këtë dokument, sepse ata nuk e njohin Qeverinë e Kosovës dhe kanë thënë do të ja dërgojmë Brukselit atë dokument. Dokumenti i dërguar në Bruksel, kam besim që do të shqyrtohet në Bruksel, që ka mbërri në këto 4 vjet dhe tash Brukseli këtë dokument do ta paraqesë në tavolinë për me diskutu Prishtina dhe Beogradi”, theksoi Tahiri.

Një tjetër problematikë në formimin e këtij asociacioni sipas Tahirit, është  pjesa ku thuhet se as kryetarin e as Kuvendin nuk mund ta shpërbëjnë institucionet e Kosovës.

Tahiri ka thënë se deklaratat e këshilltarit të Hotit, janë vetëm për konsum të brendshëm dhe për të nxitur debat.

“Xhavit Beiqiri po thotë se nuk e shtimë në përdorim pa na njohtë Kosovën. Ajo Qeveria mundet me u rrëzu nesër dhe ky mos me vlejtë për Qeverinë tjetër. Ky nuk është parimor, sepse dokumenti që nënshkruhet në Bruksel, sidomos tash është i zbatueshëm dhe  t’i mundesh me shkru tani se pas njohjes do ta funksionalizojmë, por Serbia nuk e pranon.  Asociacioni nuk duhet të jetë kusht për njohje, është rregullim yni i brendshëm. Nëse secili vend që na njeh Kosovë na vendos ndonjë kusht, ne më mirë është mos me kanë shtet hiç”, përfundoi Tahiri. /IndeksOnline/