10:25 / E Shtunë, 01 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

A po paralajmëron ndarje të Kosovës ‘pishpiriku’ i Zubin Potokut!

Stevan Vuloviq është deklaruar për herë të parë pasi dha dorëheqjes nga posti i kryetarit të komunës së Zubin Potokut.

Në një intervistë për gazetën beogradase “Politika”, Vuloviq ka theksuar se u largua nga kryetari pasi Qeveria e Ramush Haradinajt vendosi taksën 100% për produktet serbe.

Kësisoj, ai ka lënë të nënkuptohet se komuna që udhëhoqi ai në të ardhmen e afërt mund t’i bashkohet Serbisë, pasi, sipas tij, aty s’ka asnjë gjë që përputhet me shtetësin e Kosovës, transmeton Indeksonline

“Zubin Potok është mjedisi absolutisht serb. Për pesë vitet e fundit, sa isha kryetar i autoritetit Përkohshme të komunës së Zubin Potokut, mbyllëm të gjitha institucionet e Kosovës, në mënyrë që në këtë komunë të gjitha punët të bëheshin vetëm nga sistemi i Republikës së Serbisë”, u shpreh ai.

Ndryshe, kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Dejan Gureshiq, njoftoi se të gjithë kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë dhënë dorëheqje.

“Organet e administratës shqiptare, të Prishtinës, në veri të Kosovës nga sot nuk ekzistojnë. Funksionimi i mëtejmë i qeverisjes lokale përmes sistemit të Prishtinës është pezulluar. Autoritetet dhe shërbimet komunale nuk do të funksionojnë dhe kuvendet komunale nuk do të mbajnë më takime. Ky vendim është përfundimtar dhe do të mbetet në fuqi derisa Prishtinë nuk i tërheq të gjitha masat diskriminuese”, tha Gureshiq.

Vendimi vjen pasi autoritetet në Kosovë, javën e kaluar, kanë rritur nga 10% në 100% taksën mbi prodhimet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. /Indeksonline/