13:34 / E Mërkurë, 14 Tetor 2020 / indeksADMonline

A po përgatitet Maq. e Veriut për një valë të dytë të Covidit-19, për menaxhim dhe bashkëpunim me Kosovën

Viti 2020, do të mbahet mend gjatë, si i tillë do të futet në histori, pikërisht për shkak të shfaqjes së një virusi të ri, krejtësisht të panjohur.

E gjithë bota, nuk po gjen qetësi, pandemia COVID-19, vazhdon të jetë e pranishme kudo, madje një valë e re, po pritet të kthehet sërish në sezonën e dimrit, të paktën kështu parashikojnë ekspertët e shëndetësisë.

Edhe Maqedonia e Veriut, duket se po kalon në një periudhë aspak të lehtë. Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani, në një intervistë për Indeksonlinen, ka treguar se cila është gjendja momentale në këtë shtet.

“Duke i përfshirë edhe të dhënat e fundit, numri i përgjithshëm i të dyshuarve dhe atyre pozitivë me koronavirusin në të gjithë spitalet dhe repartet infektive në të gjithë vendin janë shtruar në spital 417 pacientë.

Në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup, kapaciteti është 110 shtretër spitalorë, plotësisht bosh është spitali modular pranë klinikës me një kapacitet për 70 pacientë. 

Spitali i përgjithshëm i qytetit ”8 Shtatori” ka 50 shtretër spitalorë për trajtimin e pacientëve me Covid-19.

Në spitalin ”Kozle” kapaciteti i shtretërve spitalorë është 55, për të rritur dhe fëmijë”.

Ai thotë se sa i përket reparteve infektive në Maqedoninë e Veriut, ka kapacitete të mjaftueshme, derisa punonjësit mjeksorë sipas tij po funskionojnë në parim të rotacionit dhe nuk ka mungesë të stafit për të trajtuar pacientët 

“Në repartet infektive në mbarë vendin ka kapacitete të mjaftushme, në disa nga spitalet ku aktualisht ka më shumë pacientë, ekziston një plan i përshtatshëm për shëndrimin e disa kapaciteteve  të tjera për trajtimin e pacientëve me Covid-19 

Sistemi shëndetësor posedon rreth 1.000 shtretër spitalorë për shtruarje në spital dhe trajtim të pacientëve me Covid-19 pozitivë. 

Ende nuk ka pacientë të shtruar në spitalin e montuar pranë Klinikës për Sëmundjet Infektive dhe Gjendje Febrile.

Për më tepër, për të forcuar kapacitetet ekzistuese, është planifikuar të instalohen 19 objekte në 16 komuna në Republikën e Maqedonisë së Veriut, dhe një objekt tjetër në Institutin për Sëmundjet e Mushkërive te fëmijët, Kozle – Shkup (e cila për momentin është Covid qendër për fëmijët) dhe në qytetet: Manastir, Dibër, Gjevgjeli, Resnjë, Kumanovë, Kavadar, Strumicë, Gostivar, Strugë, Koçan, Ohër, Tetovë, Prilep, Veles, Shtip dhe Kërçovë”.

Numri dy i shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, tregon se ata tashmë janë bërë gati për valën e dytë të paralajmëruar.

“Të gjitha potencialet tona, të gjitha burimet e nevojshme janë tashmë në dispozicion për pacientët tanë. Përkujtojmë se secili prej nesh ka një pjesë të përgjegjësisë, të gjithë duhet të veprojmë me përgjegjësi, dhe kështu të ndihmojmë punonjësve mjeksor të jenë në gjendje që të sigurojnë shërbimin e nevojshëm shëndetësor për të gjithë pacientët tanë në nevojë, me një theks në rastet më të vështira që luftojnë për jetë. 

Situata epidemiologjike monitorohet me shumë  kujdes dhe vigjilencë   nga ekspertët tanë të lartë nga Komisioni për sëmundjet infektive dhe çdo ditë në përputhje me të dhënat më të fundit empirike në baza ditore dhe në nivel lokal vendosen masat mbrojtëse kundër Covidit-19”.

E, sa i përket menaxhimit të situatës me pandeminë COVID-19, Hasani thotë se janë në komunikim të mjaftueshëm me ministrin e Shëndëtësisë, Armend Zemaj, teksa shton se ekizston një bashkëpunim i mirë ndërmjet këtyre dy shteteve.

“Jam në komunikim të vazhdueshëm me mikun tim Ministrin e Shëndetësis së Kosovës, Z. Zemaj dhe mendoj se edhe ata po e përballojnë në mënyrë të shkëqyeshëm këtë pandemi. Ditëve të fundit, edhe atje ka një numër në rritje, dhe ky është një trend global dhe sipas të dhënave të fundit, të cilat ata i ndjekin nga afër në baza ditore ata marrin masat e duhura. 

 Përveç bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm në lidhje me kovid pandeminë , ne jemi duke thelluar edhe bashkëpunimin midis shteteve, veçanërisht në lidhje me dhe aspekte të tjera, dhe bashkëpunim shtesë dhe zgjerim në fushën e shëndetësisë midis dy shteteve. Sistemi i koordinimit midis vendeve funksionon shumë mirë dhe ne marrim vendime të përbashkëta ekskluzivisht në bazë të vlerësimeve të ekspertëve bazuar në shkëmbimin e informacionit mbi tablonë epidemiologjike në secilin vend në rajon. Me Ministrin e Shëndetësisë nga Kosova,mikun tim Z.Zemaj ne flasim për shkëmbimin e përvojave në fusha të veçanta të mjekësisë, dhe sëbashku ramë dakord në nivelin e fakultetit mjekësor, në drejtim të trajnimit, specializimit shtesë dhe subspecializimit. Ne diskutojmë që të aplikojmë bashkërisht nëpër projekte evropiane, kryesisht në fushën e trajnimit dhe fitimit të përvojës së profesionistëve shëndetësorë, mjekëve të specialiteteve të caktuara. Këto janë momente kur është e nevojshme që të gjithë ne të ndihmohemi, veçanërisht në shëndetësi si një sektor jashtëzakonisht i ndjeshëm dhe kompleks, e nevojshme është të mbështesim njëri-tjetrin sepse kjo covid krizë na prek të gjithëve. 

 Besoj se bashkëpunimi midis dy vendeve do të intensifikohet edhe më shumë në interes të shëndetit të qytetarëve të të dy vendeve”.

Më 12 të muaji, Qeveria e MV-së, mori vendim për hapjen e kufijve me Kosovën, pa teste PCR. Këtë moment, zëvendësministri Hasani e quan të rëndësishëm.

“Çdo masë, çdo vendim i ri nuk merret vetë, as nuk është dëshirë e dikujt. Të gjitha vendimet merren vetëm në bazë të situatës epidemiologjike nga ekspertët tanë të lartë në Komisionin për Sëmundje Infektive. Ajo që dua të theksoj është se lëvizja e lirë pa PCR test është një moment shumë i rëndësishëm për  qytetarët e Republikës e Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, por fakti mbetet se virusi është akoma i pranishëm dhe të gjithë ne duhet të jemi të kujdesshëm.

Para së gjithash, si mjek, dhe më pas nga pozicioni i zëvendës Ministrit, nuk mund të mos komentoj kolonat e gjata të djeshme që u prezantuan në pikat kufitare dhe ato paraqesin një shqetësim dhe rrezik për shëndetin e qytetarëve në të dy anët e kufirit.

E nevojshme është që të gjithë ne, pa përjashtim të respektojmë masat, të kujdesemi për veten, dhe kështu të mos rrezikojmë të dashurit tanë, të ndihmojmë punonjësit shëndetësorë dhe kështu të tregojmë se vlerësojmë punën e tyre dhe dhënien e maksimumit për të shpëtuar jetë”.

Ai apelon dhe kërkon nga të gjithë bashkëqytetarët, që të kenë kujdes dhe të kalojnë kufirin vetëm nëse vërtetë kanë nevojë, veçanërisht në ditët në vijim. Pasi sipas tij situate është jashtëzakonisht e ndjeshme, derisa thotë se lëvizja e lirë e qytetarëve është e rëndësishme, por jo më shumë se shëndeti ynë./Indeksonline