19:39 / E Diele, 17 Mars 2019 / indeksADMonline

A po përkrahet projekt-rregullorja që ndëshkon deputetët që mungojnë në seanca?

Projekt-rregullorja e re e Kuvendit të Kosovës është në procedurat e fundit për tu votuar në lexim të dytë por nuk po gjen përkrahjen e shumicës parlamentare.

Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës duke përmendur risitë e rregullores e sheh të domosdoshme përfshirjen e sanksionimit të deputetëve që nuk marrin pjesë në punimet e Kuvendit.

Por kjo nuk është përkrahur nga deputetët punues për rregulloren e re.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Legjislacion nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, konsideron se ndëshkimi i mospjesëmarrjes së deputetëve në punimet e seancës nuk është përkrahur nga vetë deputetët.

Partia e saj nuk do t’i jap votën pro nëse nuk përfshihen amandamentet e propozuara.

Ndërsa zëvendëskryetari i Komisionit Parlamentar për Legjislacion nga radhët e PDK’së, Hajdar Beqa, i bën thirrje opozitës që të votojë pro rregullores të re të Kuvendit.

Për të kaluar edhe në lexim të dytë rregullorja e re e Kuvendit në votim duhet të marrin pjesë 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.