13:11 / E Premte, 24 Nëntor 2017 / indeksADMonline

AAK: LDK nuk u ankua kur votat me kusht ishin për Rugoven, e për Dreshajn po ankohet!

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është deklaruar për fitoren e Gani Dreshajt në krye të Istogut, pas numërimit të votave me kusht, atyre me postë dhe tjera.

Në një komunikatë, AAK thotë se Isa Mustafa nuk ka reaguar kur Haki Rugova mori votat me postë në raundin e parë, por po reagon tash vetëm për Dreshajn.

Sipas AAK-së, LDK në raundin e parë nuk kishte asnjë ankesë, kurse tash për Dreshajn po reagon.

Ja njoftimi i plotë i AAK-së:

Për procedurën e njejtë të votimit, kur LDK mori votat me postë në Istog në raundin e parë Isa Mustafa nuk u ankua, kur i humbi të njëjtat vota filloi ankesat!

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka përcjell me shqetësim deklaratat e zyrtarëve të LDK-së, pas numrimit të votave me postë në Komunën e Istogut, ku fitues ka dal kandidati ynë z. Gani Dreshaj.

Deklaratat e ngutura dhe të pamatura të zyrtarëve të LDK-së, i konsiderojmë si përpjekje për të hequr vëmendjen para qytetarëve të Istogut dhe Kosovës, humbjen e kandidatit të tyre në këtë komunë. LDK, në raundin e parë të zgjedhjeve nuk kishte asnjë ankesë edhe pse shumica e votave me postë ishin për kandidatin e tyre në garën për Kryetar të Istogut.

I’a rikujtojmë z. Isa Mustafa, se mbështetja  me vota arrihet edhe përmes marrëveshjeve politike në mes të subjekteve që përfaqësojnë votues, duke i kujtuar këtu se është e njëjta mbështetje sikur e keni marrë mbështetjen e AAK-së në garën e balotazhit në zgjedhjet për komunën e Prishtinës.

Tendenca për presion mbi mekanizmat e administrimit të zgjedhjeve është i papranueshëm për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Edhe humbja është pjesë e demokracisë, dhe ne presim që fituesi i këtyre zgjedhjeve në Istog, z. Gani Dreshaj të urohet nga të gjitha palët.