17:29 / E Enjte, 23 Qershor 2022 / MSH

AAK: Sot Qeveria do të duhej të dorëhiqet!

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Kuvendit për moskalimin e projektligjit që lejon tërheqjen e 30 për qind të trustit pensional.

Sipas Grupit Parlamentar të kësaj partie, Qeveri do të duhej të jepte dorëheqje pas këtij votimi.

“Varfërimi dhe goditja e vazhdueshme ndaj shtresës së mesme të shoqërisë, dhe atyre në varfëri të skajshme po vazhdon edhe me këtë vendim nga ana e shumicës parlamentare” shkruan GP i AAK-së.

Sipas këtij Grupi Parlamentar, “qytetari i Kosovës u godit pas shpine”.

Ky është reagimi i plotë i Grupit Parlamentar të Aleancës:

Grupi parlamentar i AAK-së shpreh zhgënjimin e thellë me mosvotimin e nismës për tërheqje të 30% të kursimeve pensionale.

Varfërimi dhe goditja e vazhdueshme ndaj shtresës së mesme të shoqërisë, dhe atyre në varfëri të skajshme po vazhdon edhe me këtë vendim nga ana e shumicës parlamentare.

Sot, qytetari i Kosovës u godit pas shpine, i cili edhe ashtu është në gjendje të vështirë ekonomike.

AAK do të vazhdojë të jetë përkrah qytetarëve të Kosovës, me bindje dhe votim të politikave në dobi të interesit qytetar.

Sot, Qeveria do të duhej të dorëhiqet! 

Me 44 vota për, 57 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi nuk kaloi në lexim të parë projektligjin në fjalë.