22:51 / E Martë, 09 Janar 2018 / indeksADMonline

Abazi mbron aktivistin, kritikon Gëzon Kastratin për dokumentin e publikuar të VV-së

Publikimi i dokumenteve që tregon për  përjashtimin e  Valdrin Ahmetit nga të gjitha pozitat udhëheqëse në Levizjen Vetevendosje nga Komisioni Disiplinor është kritikuar nga anëtari i VV-së në Tiranë, Bojken Abazi.

Abazi përmes një shkrimi në facebook i ka dalë në mbrojtje Valdrin Ahmetit, duke thënë se është e padrejtë, amorale dhe në dëm të Lëvizjes publikimi i dokumenteve të komisionit të cilat janë konfidenciale dhe nuk lejohen duplikante apo të kihet qasje në to duke iu referuar Gëzon Kastratit, akvistit dhe vëllaut të Qëndronit.

Abazi ka thënë se Valdrin Ahmeti e ka pranuar fajin publikisht dhe se ka respektuar masën e shqiptuar ndaj tij, shkruan Indeksonline.

Për më shumë lexoni postimin e tij të plotë:

Sipas Rregullores së Komisionit Disiplinor të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të cilin e kam drejtuar rreth 4 vite që prej themelimit të tij në vitin 2011, vendimet dhe procesverbalet e këtij Komisioni janë dokumente konfidenciale, për të cilat nuk lejohen duplikate, dhe në të cilat mund të kenë qasje, sipas Rregullores, vetëm organet vendimmarrëse të Lëvizjes dhe palët e përfshira. Një anëtar i “faksionit” antistatutor ka bërë sot publike një dokument të Komisionit Disiplinor të vitit 2011, në shkelje të Rregullores. Këtë gjë, anëtari i “faksionit” antistatutor e ka bërë që të mos merret me argumentet dhe faktet e bëra sot publike nga një aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Valdrin Ahmeti, në lidhje me “faksionin” antistatutor. Aktivisti Valdrin Ahmeti e ka pranuar në organizatë dhe publikisht rastin e shqyrtuar nga Komisioni Disiplinor në vitin 2011, e ka pranuar fajin në organizatë dhe publikisht, dhe e ka pranuar dhe respektuar edhe masën e shqiptuar ndaj ti nga ky Komision në vitin 2011. Ajo masë tashmë ka mbi dy vjet që ka përfunduar dhe nuk është në fuqi. Është krejtësisht jashtë rregullave, e padrejtë, amorale, dhe në dëm të Lëvizjes praktika që ndoqi sot anëtari i “faksionit” antistatutor për ta dëmtuar Lëvizjen, vetëm që të mund të realizojë një sulm të ulët të tipit ad hominem (ndaj personit), që të mos merret me thelbin e problemit që ka shkaktuar “faksioni” antistatutor. Të vertetat e thëna sot publikisht nga aktivisti Valdrin Ahmeti në lidhje me “faksionin” antistatutor fatkeqsisht nuk janë material për Komisionin Disiplinor, por për organet vendimmarrëse të Lëvizjes, sepse kanë të bëjnë me çështje thelbësisht politike me ndikim mbi krejt organizatën. Por organet vendimmarrëse janë pikërisht ato organe nga të cilat po dorëhiqen ata pak anëtarë të këtij “faksioni” antistatutor./Indeksonline/