20:45 / E Diele, 05 Prill 2020 / indeksADMonline

Abdixhiku: 200 persona janë liruar nga konviktet, pa karantinë do të kishim shpërthim

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi të bërë në Facebook, duke komentuar situatën aktuale nga COVID19, ka folur për karantinën që u vendos nga Qeveria që të jetë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, në të cilën u izoluan të ardhurit nga jashtë, transmeton Indeksonline.

Ai ka thënë se pa karantinë do të kishim shpërthim, ndërsa ka bërë të ditur se mbi 500 qytetarë janë vendosur aty. Ku janë testuar dyqind prej tyre, të gjithë janë liruar.

Ky është postimi i tij:

Kushtet në Karantinë mund të mos ishin nga më të mirat, ditët e para mund të kishin qenë edhe të vështira – mësuam në vështirësi – por karantinimi po funksionon.

Mbi 500 qytetarë tanë janë vendosur aty. Janë ushqyer, përkujdesur e trajtuar me kapacitetet e një shteti që aq sa ka jep – por jep gjithçka. Janë testuar dyqind prej tyre, të gjithë janë liruar për në shtëpi. Qindra të tjerë do të kthehen gradualisht e do të vendosen aty njëtrajtësisht.

Të testuarit pozitiv, 3 sosh, për shkak të karantinimit nuk kanë kontaktuar askënd. As brenda as jashtë. Sa për krahasim, vetëm një qytetar pozitiv në një qytezë Kosove ka nisur zinxhirin pozitiv tek mbi 50 të tjerë. Pa karantinë do të kishim shpërthim. Me karantinë kemi edhe kontrollë edhe kthim në shtëpi.

Për këtë duhet falenderuar të gjithë. Qytetarët që me durim qëndrojnë aty; por mbi të gjitha shërbyesit e shëndetësisë, policët, ushtarët e vullnetarët që kanë bërë të vlejë i gjithë ky angazhim.