22:30 / E Martë, 19 Shtator 2023 / MSH

Abdixhiku akuzon Qeverinë se po e rrezikon demokracinë

Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në emisionin Rubikon me Adriatik Kelmendin në Klan Kosova, tha se në Kosovë nuk ka politikë publike dhe sipas tij, kjo është arsyeja që s’ka zhvillim.

Sipas tij, Qeveria ka vazhduar të rrit polarizimin në jetën publike.

“Polarizimi i Qeverisë është në nivel shumë të lartë. Nga politika e fjalëve janë shndërruar në persekutues, siç ka ndodhur me bizneset dhe mediet. Nuk kemi bërë politikë kundër diçkaje kemi bërë politikë për diçka. Kjo ka qenë formula e fitores në Prishtinë”, tha Abdixhiku.

Sipas tij, kjo qeveri është e vetmja që realizon video propaganduese kundër opozitës, por në të njëjtën kohë sulmon edhe mediat.

“Po na rrezikohet liria e të shprehurit, po rrezikohet demokracia. Ideja për mbylljen e mediave është tregues që demokracia në Kosovë nuk funksionon. Kemi një frikë shoqërore. Kjo më frikëson më tepër. Tash po atakohet njeri si qenie e pavarur”, tha Abdixhiku.