12:48 / E Hënë, 28 Nëntor 2022 / S Z

Abdixhiku: Kujtojmë e nderojmë dëshmorët, heronjtë dhe luftëtarët UÇK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ua ka uruar të gjithë shqiptarëve festën e 28 Nëntorit, duke pohuar se kombi shqiptar është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Sot shënojmë ditën e shqiptarëve – 110 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Kjo është dita historike e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Është Nëntori i Dytë, dita më e rëndësishme pas 28 Nëntorit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut . Për këtë ditë u bashkuan të gjithë burrat e kombit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”.

“Sot, në këtë përvjetor kujtojmë plakun e urtë, Ismail Qemali, i cili i rrethuar nga burrat e tjerë të kombit e shpalli Shqipërinë shtet të pavarur. E kujtojmë Presidentin historik, Ibrahim Rugova, që me idenë dhe bërjen e shtetit të Kosovës, e plotëson këtë ditë të madhe. E kujtojmë komandantin legjendar, Adem Jashari, sakrifica e të cilit është shembull për mbrojtjen e pragut të shtëpisë. I kujtojmë e nderojmë dëshmorët, heronjtë dhe luftëtarët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

“Me të drejtë, sot konstatohet se kombi shqiptar është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon. Prandaj ne na mbetet që të punojmë të gjithë bashkë për integrimin e dy shteteve në familjen tonë natyrale – perëndimore”.