16:51 / E Mërkurë, 07 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Abdixhiku: Praktika e shtesave mbi paga duhet të ndërpritet pa përjashtime

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se praktika e shtesave mbi pagë është bërë kulturë e institucioneve të Kosovës dhe e njëjta duhet të ndërpritet tek të gjitha pa përjashtim.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka thënë se ata kanë anuluar të gjitha shtesat financiare që bordi i KOSTT-it i ndante për vete, duke e quajtur këtë një logjikë si absurde, transmeton Indeksonline.

Ky është postimi i tij:

Pas Trustit, sot vazhduam me kursime në KOSTT.

Në Komision për Buxhet dhe Financa anuluam të gjitha shtesat financiare që Bordi i KOSTT-it ndante për vete. Pra merrnin pagë – nga 1400 euro në muaj – dhe mbi këtë pagë ndanin shtesa tjera për secilin takim që mbanin si Bord. Shtesat mbërrinin në dhjetëra mijëra euro në vit. E konsideroj një logjikë të tillë si absurde.

Të gjitha organizatat që do të na vijnë në raportim, do të përballen me shkurtime të shtesave si këto. Praktika e shtesave mbi pagë është bërë kulturë e institucioneve në Kosovë dhe e njëjta duhet të ndërpritet tek të gjitha pa përjashtim – edhe në Borde, edhe në Qeveri, edhe në Parlament. Do të shfrytëzojmë fuqinë tonë – aq sa kemi kompetencë sot – për të bërë kursime si këto. Por mbi të gjitha na duhet Ligji mbi Paga që të ndërpriten praktikat e tilla./Indeksonline/