22:17 / E Martë, 28 Nëntor 2023 / MSH

Abdixhiku: Smajl Hajdaraj është vetë historia triumfuese e Republikës së Kosovës

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bashkë me kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri, me familjen Hajdaraj dhe bashkëpunëtorë, zbuluan shtatoren e veprimtarit të madh, Smajl Hajdaraj, në Pejë.

Abdixhiku tha në këtë ditë të veçantë për çdo shqiptar kudo që jeton, 28 Nëntori që është dita e flamurit shqiptar, po përurohet shtatorja e një burri të madh shqiptar, Smajl Hajdaraj.

Kreu i LDK-së, Hajdarajn e quajti Rugovist shembullor, patriot, veprimtar, intelektual, deputet, luftëtar të paepur, bashkëpunëtor të ngushtë të Presidentit Rugova, dhe Hero të Kosovës.

“Veprimtaria e tij ushtarake e politike e bëjnë atë personalitet qendror në historinë e rrugëtimit të shenjtë për liri, pavarësi e demokraci. Ai është vetë historia triumfuese e Republikës së Kosovës. Ai është vetë gur themeli i fortë i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, deklaroi Abdixhiku.

Kryetari Abdixhiku po ashtu citoi një pjesë nga testamenti i fundit i Smajl Hajdarajt, i shkruar nga ai rreth një muaj para vrasjes së tij.

“Edhe pse fillimi i luftës çlirimtare më gjeti udhëheqës partiak (Kryetar i LDK-së për Rugovë) nuk jam hamendur fare por me tërë potencialin tim politik dhe autoritativ i jam bashkangjitur luftës së shenjtë çlirimtare. Kështu ndodhi edhe me një pjesë të aktivistëve të LDK-së dhe me pjesën më të madhe të anëtarësisë. Jam tepër i emocionuar për lirinë e fituar dhe njëherit bëj apel që të angazhohemi të gjithë së bashku për ndërtimin e Pavarësisë së Kosovës-qëllim yni i tanishëm”, thotë në fund të letrës, Heroi Smajl Hajdaraj.

“Smajl Hajdaraj sot u kthye në Pejë. Jo vetëm si nderim i veprës si tij, por si rikujtim për gjithë brezat e ardhshëm për sakrificën e madhe që populli i Kosovës, burrat e gratë më të devotshëm të kombit kanë bërë. Nga sot, qyteti i Pejës, dhe e gjithë Kosova, do të kenë një vend më shumë nderimi për të shkuarën, një vend më shumë rikujtimi për të ardhmen”, përfundoi kryetari Abdixhiku.