23:02 / E Diele, 12 Prill 2020 / indeksADMonline

Abdixhiku: Sot dita më e rëndë për vendin, qëndroni në shtëpi që të takohemi sërish

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se sot është dita më e rëndë për vendin, ku u konfirmuan 79n raste të reja me COVID-19.

Abdihxiku tha se në një ditë të tillë ndjehesh i dërmuar dhe i dëshpëruar.

Sipas tij asnjë masë nuk ka ndikim pa bashkëpunim dhe se përpjekja e deritanishme s’ka qenë fare e lehte, transmeton Indeksonline.

Abdixhiku tha se qëndrimi në shtëpi e bën punën e mjekëve, policëve, ushtarëve e secilit kontribuues tjetër në këtë betejë shumë më të lehtë.

Postimi i plotë:

Dita më e rëndë për vendin sot. 79 raste të reja. Dhe ndjehesh i dermuar e dëshpëruar me një ditë të tillë.

Ju lutem qëndroni në shtëpi. Asnjë masë nuk ka ndikim pa bashkëpunim. Perpjekja e deritanishme s’ka qenë fare e lehtë. Keni hequr dorë nga sjelljet tuaja më të zakonshme. Nga mbyllja e punëve e deri tek distancimi nga më të dashurit tuaj.
Kjo përpjekje, sado e veshtirë që është, duhet të vazhdojë – në të kundërtën secili kontribut kolektiv i deritanishëm humbet kuptim. Sot ky kontribut ka humbur kuptim.

Qëndrimi në shtëpi e bën punën e mjekëve, policëve, ushtarëve e secilit kontribues tjetër në këtë betejë shumë më të lehtë. Duke qëndruar në shtëpi, ju shkurtoni kohëzgjatjen e mbylljes. Në anën tjetër, transporti ndërkombëtar i mallrave vazhdon. Vendi po furnizohet mjaftueshëm dhe pandërprerë. Qytetarët tanë të ngujuar jashtë, ngadalë por sigurtë, po kthehen në shtëpi. Rrugët po pastrohen e mirembahen nëpër Kosovën. Arsimi po zhvillohet.

Do t’i mbushim shpejtë edhe sheshet, edhe rrugët, edhe shkollat, edhe kafiteritë e edhe stadiumet. Do të takohemi sërish të gjithë. Le të kujdesemi sot që ky takim të jetë me gëzim.