08:59 / E Martë, 14 Korrik 2020

ABT-ja sjell Audi-në RS6-R me 740 kuaj fuqi

Për këtë Audi RS6 Avant në foto, i cili mban emrin RS6-R, kompania e njohur ABT Sportsline ofron paketën për modifikim.

Paketa e kësaj kompanie, ndër të tjera, përfshinë mbrojtësin e ri të përparmë dhe atë të pasmë, amortizatorët e modifikuar, sistemin sportiv të shkarkimit të gazrave nga çeliku, set të rrotave 22-inçësh nga alumini, si dhe enterier të modifikuar i cili vjen me lëkurë “Alcantara” si dhe disa detaje nga fibra të karbonit.

ABT, po ashtu, ofron edhe përforcimin e motorit hibrid të këtij RS6-R, që është 4.0-litër V8 Bi-Turbo. Versioni standard është me kapacitet prej 600 kuajfuqi, ndërsa ABT Audi RS6-R është me 740 kuajfuqi.

Gjithashtu, modeli serik RS6 Avant, shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë e arrin për 3,6 sekonda dhe atë maksimale e ka të kufizuar deri në 250 km/h ndërsa RS6-R deri në 100 km/h e arrin për 3,2 sekonda dhe atë maksimale deri në 320 km/h.

Sa i përket çmimit, kjo paketë e ABT-së kushton gati 70,000 euro dhe se kjo kompani planifikon të ofrojë vetëm 125 paketa të tilla për këtë karavan sportiv.