22:19 / E Enjte, 14 Mars 2019 / indeksADMonline

Acarimi i raporteve mes koalicionit qeverisës, i rëndon proceset e shtetndërtimit!

Tash e sa muaj dukshëm janë acaruar raportet mes partive të koalicionit qeverisës.

Fërkimi i raporteve, është shtuar edhe pas vendosjes së tarifes ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegoginës.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Ramush Tahiri thotë se marrëdhënjet ndërmjet koalicionit qeverisës janë kundërshtuese, të cilat në këtë mënyrë veçse i rëndojnë të gjitha proceset e shtetndërtimit.

“Marrëdhëniet ndërmjet partnerëve të koalicioni qeverisës që e bëjnë Qeverinë Haradinaj nuk janë të mira, madje janë edhe kundërshtuese që i rëndojnë të gjitha proceset e shtetndërtimit si të brendshme ashtu edhe të jashtme. Koalicioni është ndërtuar si i tillë që secila parti i kontrollon dhe i dirigjon ministrat e vet. Për këtë edhe ndërrohen ministrat pa marrë parasysh vlerësimin e punës nga kryeministri”, ka thënë Tahiri në një bisedë për Indeksonline.

Ai kujton faktin se ‘boshllëkun’, e krijuar po e përmbushin Partia Socialdemokrate dhe ndonjëherë edhe deputeti Ilir Deda.

“Lista Serbe me dhjetë deputetët e saj ka deklaruar se nuk do të jetë pjesë e koalicionit Haradinaj dhe nuk do t’i votojë në Kuvend propozimet dhe nismat qeveritare. Tash, këtë boshllëk po e mbushë Partia Socialdemokrate e Kosovës dhe ndonjëherë deputeti Ilir Deda, ashtu si u votu Platforma për bisedime”, ka shtuar tutje ai. 

Tahiri kujton faktin se Kosova po kalon në një fazë të ftohjes së marrëdhënieve me SHBA-në dhe BE-në.

“Kosova po e kalon një fazë të izolimit ndërkombëtar dhe të ftohjes së marrëdhënieve me SHBA dhe BE, e rënduar edhe me mosliberalizim të vizave për qytetarët kosovarë. Veç pritet kur situata të eskalojë ose kur Qeveria të rrëzohet ose dorëhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme duke mbetur taksa dhe me një polarizim të skajshëm të partive politike por edhe të opinionit”, ka vlerësuar ai.

Tahiri vlerëson se PDK nuk e ka as opcionin e LDK, që e zbatoi më herët për tërheqjen e njëanshme nga Qeveria dhe institucionet si akt për rrëzimin e Qeverisë dhe për shkuarje në zgjedhje të parakohshme.

“As PDK dhe as LDK nuk e kanë ndërmarrë nismën për vetëshpërndarjen e Parlamentit”, ka shtuar ai.

Ndryshe, vlen të përmendim faktin se tash e sa muaj, LDK ka përmendur krijimin e një mocioni për rrëzimin e qeverisë Haradinaj, mirëpo deri më tani nuk është parë asnjë hap konkret lidhur me këtë çështje./Indeksonline/