13:43 / E Mërkurë, 05 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Ademi qartëson çështjen ”Loret Sadiku”, tregon nëse do të ketë ardhje të reja

Pak ditë më parë, Federata e Futbollit të Kosovës qartësoi opinionin në lidhje me ardhjen eventuale të Loret Sadikut te Përfaqësuesja kosovare.

Sulmuesi i Kasimpasa, Sadiku ka pranuar ftesën e FFK-s, por FFK konfirmoi se ende nuk ka marrë ndonjë vendim zyrtar në lidhje me mundësinë e kalimit të tij te Kosova.

”FIFA deri më tash ka refuzuar ta lejojë Sadikun të luajë për Kosovën, me arsyetimin se ka humbur mundësinë e ndërrimit të përfaqësueses kur ka bërë kërkesë që nga Suedia të kalojë te Shqipëria”.

”Mirëpo futbollisti në fjalë në fakt nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje me Kombëtaren shqiptare”, kishte shkruar FFK në uebsajtin e saj ditë më parë, transmeton IndeksOnline.

Pasi kaluan disa ditë dhe Federata nuk ka lansuar ndonjë të re në lidhje me këtë çështje, IndeksOnline ka kontaktuar presidentin e këtij instuticioni për ta qartësuar këtë çështje.

Agim Ademi ka thënë edhe pas këtyre ditëve, pritja po vazhdon, dhe se ende nuk ka ndonjë vendim përfundimtar nga shtëpia më e madhe e futbollit ndërkombëtar, FIFA.

”Lënda është në procedurë dhe është duke u përcjellur nga të dyja palët – nga ne dhe ana e Loretit. Po presim vendimin e tyre, nëse do ta shqyrtojnë apo jo këtë lëndë”, tha fillimisht Ademi.

Tutje, Ademi zbuloi edhe nëse do të ketë ndonjë ardhje eventuale te Përfaqësuesja kosovare në ditët në vijim.

”Për momentin nuk ka, në janar do të flasë me trajnerin në lidhje me atë se ku duhet të përforcohemi dhe nëse ka ndonjë kërkesë për ardhje te ne”, përfundoi shefi i FFK-së./IndeksOnline/