10:29 / E Hënë, 03 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari” shënon rekord, 2 milionë udhëtarë brenda vitit

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka arritur sot shifër rekorde duke shërbyer udhëtarin e 2 miliontë të këtij viti. Rekordi i arritur është shoqëruar me një ceremoni solemne të mbajtur në terminalin e ANP “Adem Jashari” me ç’rast është shpërblyer udhëtari i 2 miliontë me një biletë ktheyese dhe kartelë CIP.

Kjo shifër është arritur për herë të parë brenda një viti qysh nga fillimi i funksionimit të Aeroportit të Prishtinës dhe vjen si rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të kompanisë Limak në krijmin e lehtësirave ndaj kompanive ajrore, mundësimin e infrastrukturës më të avancuar si dhe të shërbimeve shtesë të aeroportit, me qëllim të përhershëm në mbajtjen e kënaqshmërisë së udhëtarëve në nivelet më larta.

“Numri i udhëtarëve tanë po rritet në vazhdimësi, dhe në të njëjtën kohë po mbajmë kënaqshmërinë e klientëve tanë në nivelet më të larta. Këto rezultate dëshmojnë se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është një nga projektet më të suksesshme të privatizimit në Evropë” – deklaroi me këtë rast, Gokmen Aritay, drejtor i operimeve në Limak Kosovo International Airport JSC.

Deri në fund të vitit pritet që ANP “Adem Jashari” ta frekuentojnë mbi 2 milion e 150 mijë udhëtarë. Shtimi i shumë linjave të reja ka ndikuar në rritjen e shpejtë të numrit të udhëtarëve gjatë viteve të fundit.

Në anën tjetër, linjat e reja të parapara si dhe stacionimi i kompanisë ajrore Germania në Aeroportin e Prishtinës gjatë vitit të ardhshëm, pritet të ndikojnë dukshëm në vazhdimin e këtij trendi të rritjes./Indeksonline/