15:15 / E Premte, 26 Shkurt 2021 / k.v

Afro 19 mijë zarfe të supozuara me fletëvotime janë refuzuar deri më tani

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke punuar maksimalisht për të përmbyllur sa më shpejt aktivitetet që janë duke u zhvilluar këtu në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, me qëllim të shpalljes së rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët.

“Dy aktivitetet që po zhvillohen këtu (I) rinumërimi i vendvotimeve për të cilat ka vendosur KQZ-ja dhe () vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës, mund të themi se janë në përfundim e sipër dhe presim që të përmbyllen ditën e shtunë”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Deri tani janë rinumëruar rreth 70% apo 377 vendvotime nga 552 sa është numri i përgjithshëm i tyre pas vendimit të fundit të KQZ-së.

Shërbimi votues i KQZ-së është në përfundim e sipër të vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga jashtë Kosovës, nga 2 – 12 shkurt.

Nga puna e deritashme nga ky shërbim janë hapur 41 mijë e 236 pako të supozura me fletëvotime prej nga kemi të aprovuara 48 mijë e 728 zarfe me fletëvotime dhe 18 mijë e 876 zarfe të refuzuara. Arsyet e mosaprovimit të tyre janë të ndryshme, por mund të kategorizohen në 5 grupe kryesore:

• 8 mijë e 417 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës;
• 6 mijë e 113 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit sepse nuk kanë dëshmuar kriteret ligjore;
• 1 mijë e 268 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë;
• 2 mijë e 249 zarfe të dërguara nga votues të paidentifikuar (votim grupor);
• 829 zarfe të dërguara nga votues të cilët kanë bashkangjitur dokumente jovalide për identifikim.