Gucati kritikon Specialen: Nuk mund të flitet për vizita humanitare kur të akuzuarit nuk lejohen të marrin pjesë në varrimet e familjarëve
Pretendimet e Gjykatës Speciale se të paraburgosurve u mundësohen vizita në Kosovë për arsye humanitare nuk qëndrojnë, sipas kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, raporton Ekonomia Online.
Ai thotë se lejimi i vizitave të kufizuara pas vdekjes së familjarëve nuk mund të konsiderohet humanizëm, derisa kujton se disa prej të akuzuarve nuk janë lejuar as të marrin pjesë në varrimet e më të afërmve të tyre.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Gucati numëroi rastet me të cilat të burgosurit në Hagë u përballen, e që nuk u lejuan nga Gjykata Speciale që të ishin pjesëmarrës në varrim.
“Gjykata Speciale mund t’i quaj qysh do. Se e ka atë fuqi, e ka atë mundësi, i ka gjithë ato aparatura në dorë, deri kushtetutën e vet e ka ajo gjykatë. E ka edhe avokatin të vetin. Gjithçka ajo mund të bëjë, e cilëson si të don se prej tyre jam edhe unë që kam pasë fatkeqësi në familje me rastin që më ka vdekë baba, baca Jakup, vëllau, Haxhi Shalës baba, kryeparlamentarit Kadri Veseli baba edhe nana, presidentit baba, tash së fundmi. Do të thotë ajo mund t’i quajë, por unë e di që në mënyrë humanitare kur të merr pjesë në varrim ose të sheh para se me vdekë. Unë kam ardhë me pa babën para se me vdekë edhe presidenti ka ardhë në momentet e fundit. Gjithë ajo kërkesë që është bërë ndoshta prej të gjitha institucioneve është bërë kërkesa që të lirohet presidenti me pa babën pak para se me i vdekë”, tha Gucati.
Ai tha se kërkesat e shumta për lejimin e ish-presidentit Hashim Thaçi që të qëndronte pranë babait të tij të sëmurë nuk u morën parasysh nga Gjykata Speciale.
“Nuk e di qysh mund ta quajmë ne, në mënyrë humanitare, ku sa lutje, sa kërkesa janë bërë për lejimin e zotërit Thaçi të vijë në momentin kur ka qenë baba i sëmurë, edhe baca Haxhi më duket se vdes një ditë pasi ka shkuar presidenti në Hagë edhe një orë apo dy e ka pa, në spital nuk ka ndenjur as një orë dy por ka nejtë shumë pak edhe e ka pa e në varrim nuk e kanë leju me ardhë hiq. Tash në mënyrë humanitare nuk e len me ardhë në varrim presidentin apo tjetrin. Nasimin nuk e kanë leju me ardhë hiq, as në varrim as hiq, kjo është e vërtetë nuk e kanë leju hiq. Tash nuk mundemi me thënë që në mënyrë humanitare kur nuk kanë lënë as me ardhë në varrime, të paktën me i varros, një grusht dhe me ia hedhur sipër, amanetin e fundit me kry me babën, me anëtarin e familjes, kushdo që është anëtari i familjes. Unë nuk mund ta quaj. Ata mund ta quajnë si të duan. Cenzura ka pasë te presidenti dhe te tjerët. Unë thashë që unë kam ardhur e kanë ardhë edhe të tjerët i kanë leju por nuk është e mirë me thënë mënyrë humanitare pas dy dite që ka vdekë. Te varri kemi nejtë diku 20 minuta unë në atë kohë, po ashtu presidenti 20 minuta, gjithë kanë nejtë 20 minuta e në familje pak më shumë. Nëse nuk gaboj unë kam nejtë katër orë e të gjithë më duket se kanë nejtë nga katër orë. Por nuk është në mënyrë humanitare kur ti nuk mundesh me ardhë mu përshëndet në fund të jetës së tij, me u përshëndet me babën, me anëtarin e familjes”, tha ai.
Gucati krahasoi trajtimin e të akuzuarve nga Gjykata Speciale me rastet e Tribunalit të Hagës, duke thënë se në atë kohë të paraburgosurve u ishte mundësuar pjesëmarrja në varrimet e familjarëve.
“Unë e di gjykatën ndërkombëtare përpara, kam fjalën e Hagës, e njëjta prej ish-Jugosllavisë. Kanë qenë të burgosur gjenerali Ramush Haradinaj, Balaj i Korroticës. Ramushit i pat vdekë vllau Enveri, pat ardhë në varrim, ka pasë nejtë në të pame. E njëjta, pat ardhë Balaj, i ka pasë vdekë vajza e edhe ka nejtë në të pame. E ajo ka qenë humanitare edhe ka ardhë në varrim edhe i ka përcjellë njerëzit. Këtu nuk na kanë lënë as me taku njerëzit, vetëm me anëtarë të familjes. Kur kam ardhë pas dy dite që është varrosur baba, unë vetëm me nanën, motrat, vëllezërit kam nejtë, me një pjesë të njerëzve, edhe kur kam dalë me u përshëndet me njerëz diku distanca ka qenë 7-8 metra larg, vetëm me dorë, kështu ka qenë, do të thotë pjesa humanitare. Të gjitha mundësitë i ka Gjykata Speciale, mund të thotë në mënyrë humanitare, mund të thotë si të don sepse i ka të gjitha mekanizmat”, deklaroi ai.
Gucati tha se nuk sheh arsye pse ish-krerët e UÇK-së, nuk po lejohen të mbrohen në liri deri në shpalljen e vendimit përfundimtar.
“Tash ata mbahen rreth 5 vite e gjysmë, afër gjashtë, nëse nuk gaboj. Tash është përmbyll dëshmia, janë përmbyll të gjitha, kanë përfundu dëshmitarët, ka përfundu dëshmia, tash vetëm presim verdiktin. Pse ata mos me i leju në mbrojtje në liri, me ardhë te shpija? Nuk po them ndoshta me qenë krejt të lirë, por me ardhë te shpija, në familje të tyre, me prit verdiktin te shpija e prapë me shku në seancë kur është data e verdiktit, kur caktohet data për vendim. Ata i mbajnë tashmë që një vit e sa pa kurgjo në qendrën e paraburgimit. Dëshmitarë s’ka, dëshmi s’ka. Nuk ka çka dhe ata rrijnë kot aty. Do të thotë gjykata i mban kot aty vetëm pse ka mundësi me i mbajtë, ka aftësi në vete në të gjitha anët, të gjitha forcat i ka siç e thashë edhe më herët edhe i mban në qendrën e paraburgimit në Hagë pa arsye. Nuk e di çfarë ligji ka që diku rreth gjashtë vite me i mbajtë në qendër të paraburgimit. Ky burg hetues është edhe ata mbahen për gjashtë vite kur gjykata ka pasur mundësi. Të paktën ne e dimë me ligjet e Kosovës, nëse nuk gaboj, çdo dy-tre muaj të shtunën dhe të dielën të burgosurit vijnë te shpija. Mund të gaboj sepse nuk e di mirë, por e di se i kanë disa vikende vijnë te shpija, ndërsa këtu prej gjykatës nuk ke fare. Për atë arsye po them që jemi shumë të indinjuar se çka është duke bërë Gjykata Speciale. Na s’jemi kundër drejtësisë, larg asaj. Përkundrazi, ne jemi për drejtësi se kemi luftu për drejtësi”, tha Gucati për Ekonomia Online.
Gjykata Speciale ka publikuar një video në rrjetin social X për të treguar kornizën ligjore të kësaj gjykate që “u lejon të paraburgosurve të kërkojnë një vizitë në Kosovë për arsye bindëse humanitare”.
Zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep thotë në video se “në rastin e Hashim Thaçit, për shembull, janë zhvilluar katër vizita të tilla”.
Ajo tha se kornizën ligjore për këtë e kanë miratuar gjyqtarët “duke u bazuar në të drejtën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, përfshirë nenin 5 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Rregullat Minimale Standarde të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve”.
“Deri më tani, gjyqtarët e Dhomave të Specializuara kanë urdhëruar 14 vizita të tilla të të paraburgosurve në Kosovë, të cilat janë menaxhuar nga gjykata, për shembull që një i paraburgosur të vizitojë një të afërm të sëmurë ose të bëjë homazhe dhe të kalojë kohë me familjarët e ngushtë pas vdekjes së një të afërmi”, tha ajo.

