21:38 / E Martë, 31 Tetor 2023 / MSH

AFP: Hamasi do të lirojë pengjet në ditët në vijim

Hamasi tha të martën se do t’i lirojë pengjet e huaja në “ditët e ardhshme” , sipas informacionit të cituar nga AFP.

Të martën në mëngjes, ushtria izraelite njoftoi se 240 persona mbahen si të pengje në Gaza.

Në pasdite, zëdhënësi i krahut ushtarak të Hamasit, Abu Obaidah, tha në një fjalim të regjistruar në video se organizata e tij kishte informuar ndërmjetësit se do të “lironte një numër të burgosurish të kombësisë së huaj në ditët në vijim, sepse ne nuk dëshirojmë të mbajmë ata në Gaza”.

Zëdhënësi i Hamasit foli edhe për operacionin tokësor të IDF që çoi në lirimin e ushtares izraelite Ori Megiddis, duke theksuar se ajo nuk mbahej nga Hamasi. “Ndoshta ajo mbahej nga individë privatë,” tha ai, duke shtuar se “Izraeli nuk arriti kurrë tek asnjë nga të burgosurit e mbajtur nga Hamasi”.

Vlen të theksohet se gjatë vizitës në Moskë, një delegacion i Hamasit ishte shprehur pozitivisht në kërkesën për lirimin e 8 të burgosurve ruso-izraelitë, madje duke theksuar se po kërkonin që t’i lejonin të largoheshin nga Gaza.

Në deklaratën e tij të martën, zëdhënësi i Hamasit foli edhe për luftimet me ushtarët izraelitë, duke i dërguar një mesazh kërcënues Netanyahut.

“Ne e shohim këtë luftë si fillimin e çlirimit dhe fundin e pushtimit. Kemi ‘lajme të mira’ për Netanyahun dhe ushtarët e tij ata do të jenë në gjunjë në fund të luftës. Kjo luftë do të jetë fundi politik i Netanyahut. Gaza do të bëhet një varrezë për pushtuesit. Muxhahidët tanë deri më tani kanë shkatërruar 22 automjete ushtarake izraelite”, tha ai ndër të tjera.