12:49 / E Enjte, 23 Qershor 2022 / B O

Afrohet marrëveshja mes Chelsea e De Ligt

Chelsea është në krye të garës për mbrojtësin e Juventusit, Matthijs de Ligt.

22-vjeçari është një pjesë integrale e mbrojtjes së Massimiliano Allegrit, e cila kohët e fundit është varfëruar nga largimi i Giorgio Chiellinit dhe kalimi në skuadrën e MLS-së në Los Angeles.

Sidoqoftë, De Ligt është gati të hyjë në dy vitet e fundit të kontratës së tij me Juventusin dhe një mori skuadrash të interesuara po e vëzhgojnë me vëmendje të madhe situatën, përjellë KosovaPress.

Reprezentuesi holandez ka refuzuar gjithashtu të përjashtojë mundësinë e kalimit në ndonjë skuadër tjetër, duke thënë:

“Bisedimet po zhvillohen dhe, kur të vijë koha, unë do të vendos nëse do të zgjas apo nëse dua të shikoj diku tjetër.”

“Gjithmonë shikoj se çfarë është më e mira për veten time në aspektin e projektit sportiv. Vendi i katërt, dy vite radhazi, nuk është mjaftueshëm i mirë. Do të duhet të bëjmë hapa në atë drejtim. Personalisht, ky ishte viti im më i mirë deri më tani, për sa i përket kohës së lojës dhe mënyrës se si luajta.”, ka thënë De Ligt.

Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, është në kërkim të një emri të ri në mbrojtje pas largimit të Antonio Rudiger drejt Real Madridit.

De Ligt u transferua te Juventusi në vitin 2019 nga Ajaxi, skuadër në të cilën pati treguar paraqitje shumë të mira si në kampionatin holandez, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.