11:53 / E Hënë, 17 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Agim Bahtiri i reagon MAPL-së: Mos e bllokoni kërkesën për ta bashkuar Mitrovicën

Vendimi unanim i marrë nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës me datën 30.11.2018 duke ju drejtuar Qeverisë së Kosovës për të proceduar në Kuvendin e Kosovës kërkesën për bashkimin e qytetit të Mitrovicës është shumë legjitim. Kështu pretendon Komuna e Mitrovicës e cila udhëhiqet nga Agim Bahtiri.

“Ne konsiderojmë se është shumë legjitime për vet faktin se Kuvendi Komunal ka të drejtë ti drejtohet organeve shtetërore me çfarëdo kërkese”, thuhet në reagimin e Komunës së Mitrovicës ndaj Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

“Është organi kompetent të cilit Kuvendi Komunal i është drejtuar, Qeverisë së Kosovës dhe jo MAPL-së ndërsa Qeveria e Kosovës në këtë rast është akteri kryesor që është dashur të kthej një përgjigje për kërkesën tonë. Iu bëj me dije MAPL- së se nuk keni të drejtë të shqyrtoni në brendësi kërkesën tonë për arsye se nuk i është drejtuar institucionit tuaj por i është drejtuar Qeverisë së Kosovës, dhe ju pa të drejtë keni stopuar kërkesën tonë drejt rrugës së Qeverisë së Kosovës e kjo nënkupton një frymë politike dhe aspak profesionale”, thuhet ndër të tjera në reagim.

MAPL-ja e cila monitoron edhe Kuvendet Komunale për vendimet e marra dhe në bazë të ligjit kthen edhe konfirmimet për ligjshmëritë e vendimeve, sipas komunës, nuk ka të drejtë të stopojë ligjërisht një kërkesë e cila i adresohet një organi tjetër për shqyrtim pa e shikuar thellësinë e kërkesës.

“Prandaj kërkoj profesionalizëm dhe paanësi politike që kjo kërkesë të delegohet tek organi i duhur shqyrtues. Nuk do të ketë organ që do të ndal iniciativën dhe vullnetin e mirë të qytetarëve që kjo kërkesë të delegohet tek organet kompetente të thirrura për miratimin e ligjeve të Kosovës. Po ju paralajmëroj që nëse kjo kërkesë pengohet jo ligjërisht atëherë do të ju drejtohemi qytetarëve për realizimin e një peticioni i cili do të ketë me qindra e mijëra nënshkrime. Këtë gjë nuk kam dashur ta bëj më herët sepse unë kam zgjedhur mënyrën institucionale ku përmes Kuvendit Komunal i cili përfaqëson edhe zërin e qytetarëve, këtë kërkesë e kemi adresuar tek institucionet qendrore”, thuhet në reagim./Indeksonline/