75 Mall Live Search
22:45 / E Mërkurë, 15 Maj 2019 / indeksADMonline

Agjencia Kundër Korrupsionit mbyll rastin e ministrit

Neni 14, paragrafi 1 i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik, ndalon pjesëmarrjen e një zyrtari të lartë në pozitën drejtuese të një organizate joqeveritare.

“Zyrtari i lartë mund të jetë anëtar i organit drejtues, me përjashtim të funksionit drejtues, të organizatës joqeveritare nga lëmi i shkencës, sportit, arsimit, kulturës, veprimtarive humanitare dhe të ngjashme pa të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe të tjera të lidhura me to”, thuhet në këtë nen.

Një rast i tillë  që shkakton konflikt interesi është hapur kundër Ministrit Serb, Dalibor Jevtiç, drejtues i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

Mirëpo, Agjencia kundër Korrupsionit ka marrë vendim për mbylljen e rastit të Ministrit Serb, Jevtiç.

AKK ka mbyllur rastin e tij, për shkak se sipas një dokumenti, Ministri Serb ka shmangur gjendjen e konfliktit të interesit në ushtrim të funksionit publik.

Për Jevtiç ishte hapur rasti nën dyshimin për konflikt interesi në ushqimin e postit të tij si Ministër për Komunitete dhe Kthim dhe njëkohësisht Kryetar i Organizatës Joqeveritare “Positive Youth Crew”.

Në një dokument të siguruar nga Indeksonline, thuhet se rasti është mbyllur pas hetimeve, ku Jevtiç, nuk është më kryetar i kësaj organizate dhe se do të ndërmarrë veprime për mbylljen e kësaj OJQ-je.

“Agjencia Kundër Korrupsionit e ka filluar procedurën e hetimit administrativ pas pranimit të  informatës me pretendime për konflikt interesi”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimi.

“Zyrtari i lartë Dalibor Jevtiç është deklaruar se kjo organizatë ka kohë që nuk ushtron aktivitet ndërsa ka premtuar se do të ndërmarrë veprime për mbylljen e kësaj organizate jo-qeveritare”, thuhet në këtë vendim.

Ndërkohë, Agjencia ka pranuar edhe shkresë me të cilën është dëshmuar se zyrtari i lartë ka bërë shuarjen  vullnetare të organizatës duke shmangur gjendjen e konfliktit të interesit në të cilën ndodhej.

Mirëpo, Agjencia ka theksuar se mund të rihap rastin në çdo kohë nëse paraqiten rrethana të reja./Indeksonline/