75 Mall Live Search
11:02 / E Mërkurë, 16 Korrik 2025 / H F

Agjentja sekrete “Trumpenko”, Melania bëhet virale pasi ndikoi te Trumpi lidhur me Putinin

Melania Trump pushton vëmendjen globale dhe këtë herë jo për ndonjë “look” të ri apo event mondan, por ndikim konkret në politikën e jashtme amerikane. Pasi presidenti Donald Trump deklaroi se bashkëshortja e kishte shtyrë të rivlerësonte Putinin, rrjetet sociale në Ukrainë u mbushën me postime entuziaste mbi Melanian, mes memeve ironike e gjesteve dashamirëse. Shumë e portretizojnë si një lloj agjente të fshehtë në mision kundër Moskës, duke e pagëzuar si “Agjentja Trumpenko”.

Në një prej imazheve më virale e tregon zonjën e parë me një kapelë në kokë dhe një xhaketë me simbolin e tridentit ukrainas…Në një meme tjetër Melania shfaqet pas krahëve të së shoqit teksa firmos një dekret në zyrën ovale.

“Melania më bëri të hapë sytë. Kthehem në shtëpi dhe i them. Kam folur me Putinin, ishte fantastik. Dhe ajo më thotë: Vërtet? Ndërkohë kanë bombarduar një tjetër qytet”, tha Trump.

Kjo frazë e bashkëshortes së tij, sipas presidentit e kishte shtyrë te reflektonte mbi sjelljen e liderit rus. Deklarata ka nxitur diskutime si në frontin politik ashtu edhe në media, lidhur me ndikimin në rritje të zonjës së parë te zgjedhjet e Trumpit.

E lindur në Slloveni dhe e rritur në ish-Jugosllavi, bashkëshortja e Trumpit ka treguar në disa raste vëmendje të veçantë për vuajtjet e civilëve në konflikte. Në 2022 ajo kishte ftuar ndjekësit e saj të mbështesnin Kryqin e Kuq në mbrojtjen e ukrainasve në luftë, të cilën e quante të tmerrshme. Sipas disa vëzhguesve, backgroundi dhe familjariteti me realitetin në Europën Lindore mund të kenë pasur rol jo pak të rëndësishëm, në ndryshimin e linjës së presidentit amerikan. (A2 Televizion)