18:32 / E Premte, 07 Gusht 2020

AGK e pranon me shqetësim hapjen televizionit TVV nga subjekti politik i Lëvizjes Vetëvendosje

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), përmes një reagimi, thotë se e ka pranuar me shqetësim hapjen e televizionit të ri online, TVV, të drejtuar nga partia politike Lëvizja Vetëvendosje.

Themelimi i një mediumi televiziv nga një parti politike është i dëmshëm për lirinë e medieve. Një formë e tillë e funksionimit të televizionit nuk është gazetari.

Për hapjen e TVV-së nga Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar edhe Federata Evropiane e Gazetarisë përmes një ‘tweet-i’, të publikuar në rrjetin social Twitter.

“Televizioni i ri online TVV në Kosovë, është i krijuar drejtpërdrejtë nga një parti politike. Kjo nuk është gazetari. Kjo është propagandë në shërbim të politikanëve”, thuhet në reagimin e federatës.

AGK i bashkohet reagimit të EFJ-së, duke theksuar se hapja e një televizioni të tillë është i dëmshëm dhe i papranueshëm për lirinë e medieve dhe për një shtet demokratik.