Agron Mustafa, Ejup Qerimi e Rexhë Gjonbalaj deklarohen në gjykatë, seanca e radhës në nëntor
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot u mbajt shqyrtimi fillestar në rastin ndaj krerëve të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafës, Ejup Qerimit si dhe Rexhë Gjonbalajt, të cilët nga Prokuroria Speciale po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me marrëveshjen në mes të Z-Mobile dhe Vala.
Me këtë rast tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm ndaj akuzës e cila u vihet në barrë, megjithëse i akuzuari Agron Mustafa kur u ngrit të deklarohej rreth fajësisë tha se nuk i ka të qarta disa elemente të akuzës.
Edhe mbrojtësi i tij avokati Artan Çerkini tha se as ai nuk e ka shumë të qartë akuzën e cila i vihet në barrë të mbrojturit të tij.
“Ne gjatë leximit kemi has në paqartësi dhe nuk mundemi me e bë mbrojtjen pa e pas të qartë akuzën.
“Mendoj që një deklarim për akuzën duhet të bëhet në momentin që i akuzuari e kupton akuzën”, deklaroi avokati Çerkini, por pas udhëzimeve nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Lutfi Shala, avokati dhe i mbrojturi i tij u pajtuan se kundërshtimet e tyre rreth fajësisë do të i bëjnë në fazën e kundërshtimeve.
“Nuk e pranoj fajësinë për veprën për të cilën akuzohem”, tha më pas Mustafa.
Seanca e radhës do të mbahet me datën 7 nëntor.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Ejup Qerimit gjatë periudhës kohore shkurt 2012 tetor 2014, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që të i shkaktoj dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1, të KPRK-së.
Ndërkaq, i pandehuri Agron Mustafa nga data 19.02.2015, kur ka marrë pozitën udhëheqëse e deri në momentin kur më datë 24.05.2017, kur ky i pandehur edhe pse nuk ka qenë kompetent kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final, i pandehuri Agron Mustafa duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk ka përmbushur detyrat e tija zyrtare, me qëllim që të i shkaktoj dëme materiale një kompanie tjetër. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1, të KPRK-së.
Po ashtu, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, theksohet se i pandehuri i tretë Rexhë Gjonbalaj duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare nuk ka përmbushur detyrën e tij zyrtare me qëllim që të i shkaktoj dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri Rexhë Gjonbalaj ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1, të KPRK-së.
KALLXO.com mëson se aktakuza ka të bëjë me veprimet që i paraprinë vendimit të gjykatës dhe pastaj kontestit në arbitrazh, e të cilat u përmbyllën me marrëveshjen në mes të Z-mobile dhe Valës.
Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi, në kohë të ndryshme, kanë mbajtur pozitën e kryeshefit të Telekomit. Ndërsa, Rexhë Gjonbalaj ka qenë kryetar i bordit të Telekomit të Kosovës.