22:11 / E Enjte, 30 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Agush Mulliqi vjen me “Hajnat e Kosovës” (Foto)

Filmi “Hajnat e Kosovës” është komedi me një stil të lirshëm dhe gati irracional, ku përmes ironisë, batutave dhe paradokseve trajton problematikat e Kosovës. Ky film gjatë muajit dhjetor do të transmetohet në njërin prej kanaleve televizive dhe më pas do të jetë online.

Filmi është me regji nga Arlinda Morina me aktorët Bashkim Alaj,Blin Sylejmani,Besfort Berberi, Besart Zeneli, Flutur Mustafa dhe Fatos Berisha.

Producent dhe Skenarist është Agush Mulliqi.  Agushi ka diplomuar në Fakultetin e Arteve në degën e Dramaturgjisë, por është aktiv në projekte teatrore dhe filmike që nga fëmijëria. Është themelues i qendrës për shkrim kreativ “ALO” dhe tashmë ka themeluar produksionin “FURRA”

Pse ky titull “Hajnat e Kosovës”

Agush Mulliqi: Është titull i drejtpërdrejt dhe e pranoj që është titull shumë provokues, ashtu si do të jetë edhe vet filmi.

Kush janë hajnat ?

Agush Mulliqi: Janë disa të rinj që dikur kanë pasur ëndrra, por tash janë bërë hajna sa për idare. Ata në “punën” e hajnisë janë amatera dhe dështojnë. Por, për tu bërë hajna profesionistë ata vendosin të kyçën në politikë dhe aty do ta kenë rastin të vjedhin dhe këtu përfundon filmi.

Pra, filmi është një komedi politike ?

Agush Mulliqi: Po. Është një revoltë për të gjitha këto të zeza që po i përjetojmë si popull dhe mendoj se fajtori kryesor ka qenë dhe vazhdon të jetë pushteti dhe e gjithë skena politike, ku më së keqi po e pësojmë ne të rinjtë.

Pse pikërisht me komedi keni vendosur ta trajtoni këtë temë ?

Agush Mullqi: Për mua komedia është një mjet shumë i fuqishëm, ku demaskon gjithçka dhe si zhanër është shumë i preferuar në audiencën tonë. Jam munduar që të përdori modele të komedisë që kanë shënuar suksese si p.sh. modelet British comedy, por sa ia kam arritur këtë e vlerëson shikuesi.

Prisni sukses ?

Agush Mulliqi: Nuk dua të jem subjektiv, por kam qenë i rrethuar me një ekip shumë të mirë, duke filluar nga aktorët, ko – producenti, regjisorja e të gjithë dhe është bërë një punë vetë mohuese ku vetëm procesi i provave ka zgjatur dy muaj, pastaj kemi punuar në fazat tjera dhe kemi arritur deri te përfundimi i xhirimeve. E a do të ketë sukses nuk e di, këtë do të ma tregoj audienca që për mua ata janë kritika më e besueshme.

Si kanë shkuar xhirimet ?

Agush Mulliqi: Filmi është bërë me buxhet të vogël dhe këtu lajmërohen vështirësitë dhe telashet. Mua më duket se mungesa e buxhetit ta shton kreativitetin si zgjidhje dhe këtë epërsi tragjike e shfrytëzoj në maksimum.

Ku kanë qenë lokacionet e xhirimeve ?

Agush Mulliqi: Ngjarja ndodh në Prishtinë dhe i gjithë filmi është xhiruar nëpër pjesët urbane të Prishtinës.

Jeni të kënaqur me aktorët ?

Agush Mulliqi: Ata kanë qenë shumë bashkëpunues dhe gjithmonë është kënaqësi të punosh me aktor sepse ata kanë vullnet të madh për punë. I gjithë ekipi kemi qenë gjeneratë e re dhe gjithçka ka funksionuar. Mendoj se ne si artistë të rinj nuk duhet të dallohemi si të rinj vetëm në moshë, por edhe në prurjen e koncepteve të reja.

Sa është vështirë të bësh film në Kosovë ?

Agush Mulliqi: Si producent ky është filmi i parë për mua dhe e kam kuptuar se sa e vështirë është, sa mund duhet e sa sakrificë, por nuk do të ndalëm.

E doni më shumë zhanrin e dramës apo të komedisë ?

Agush Mulliqi: I dua të dyja zhanret, por komedia më duket më sfiduese dhe më pëlqen që temat serioze t’i trajton përmes komedisë, por nuk do të thotë që nuk do të merrem edhe me zhanrin e dramës.

Jeni rritur në teatër dhe film. Ju ndihmon kjo ?

Agush Mulliqi: Që nga mosha 8 vjeçare kam qenë i angazhuar në projekte profesionale. Si fëmijë doja të bëhesha aktor, në shkollë të mesme vendosa që të bëhesha regjisor dhe përfundova duke studiuar dramaturgji. Ky profesion natyrshëm ka ardhur tek unë dhe sigurisht kjo përvojë mi lehtëson gjërat.

Gjatë studimeve keni qenë fitues në konkursin e dramës kombëtare “Katarina Josipi”. Si student të fitoni në nivel kombëtar, çka do të thotë kjo ?

Agush Mulliqi: Do të thotë shpërblim i punës.

Në teatrin ODA keni qenë autor dhe regjisor i shfaqjes “Maleshi” do të merreni edhe me regji ?

Agush Mulliqi: Ka qenë një përvojë e mirë shfaqja “Maleshi” dhe ka qenë nder për mua të punoj në Teatrin ODA, që ky teatër gjithmonë ka qenë mbështetje për mua. Besoj se do të merrem edhe me regji, ngase nuk më mjafton vetëm të shkruaj, me regji ndjehem më i kompletuar.

Këtë vit, teksti juaj “Eksperimenti” ishte fitues në “Netët e dramës shqipe” në Teatrin Kombëtar të Tiranës. Si ishte përvoja në Tiranë ?

Agush Mulliqi: Po teksti im është përzgjedhur në Tiranë për lexim skenik ku regjisor ishte Fatos Berisha. Me Fatosin regjisor kjo do të thotë shumë për mua, sepse kam shumë respekt për punën e tij dhe për aktorët e Tiranës që ishin pjesë e projektit. Një përvojë që nuk do ta harroj kurrë.

Cili është angazhimi i radhës ?

Agush Mulliqi: Në teatrin e Gjilanit kanë filluar provat për inskenimin e tekstit tim “Një natë në hotel” me regji nga Bashkim Ramadani. Mezi pres ta shoh premierën e shfaqjes.

Cilat janë vështirësitë e një skenaristi në vendin tonë ?

Agush Mulliqi: Të shumta. Gjithçka lidhet me buxhet dhe Kosova prodhon pak. Nuk ka punë për të gjithë, por unë jam i detyruar dhe kamë zgjedhur të punoj me vetë iniciativë.

Më shumë e shihni vetën në teatër apo film ?
Agush Mulliqi: Në të dyat. Nuk mund t’i ndaj./Indeksonline/