19:18 / E Enjte, 09 Gusht 2018 / indeksADMonline

Ahmeti dhe Lekaj flasin për infrastrukturën rrugore në kryeqytet

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i shoqëruar edhe nga nënkryetari Selim Pacolli janë takuar me ministrin e Infrastrukturës Pal Lekaj dhe zëvendësin e tij Rexhep Kadriu.

Sipas një njoftimi për media gjatë takimit u diskutuan projektet konkrete të cilat i takojnë bashkëpunimit të komunës së Prishtinës  dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

“ Pjesë e diskutimit ishin sfidat e projekteve të cilat duhet të zgjidhen  këtë vit por edhe planifikimi i buxhetit të vitit të ardhshëm dhe gatishmëria e Qeverisë së Kosovës për të financuar disa projekte të rëndësishme për kryeqytetin siç është rruga A. Me ndërtimin e kësaj rruge do të bëhet lidhja e lagjes së Spitalit dhe lagjes Kalabria , do ndikohet në shkarkimin e trafikut në qytet por edhe do të mundësohet vazhdimi i rrugës B, me ç’rast do të përfundohet një pjesë e rëndësishme  e infrastrukturës rrugore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin për media.

Në këtë takim u diskutuan edhe projektet si ndërtimin e rrugës nga rrethi i Fushë Kosovës deri në lagjen Arbëria, zgjerimin e rrugës së Veternikut, si dhe projekte të tjera të ngjashme.

Kryetari Ahmeti tha se takimet si ky janë me interes kur është në pyetje cilësia e jetës së qytetarëve.

Ai falënderoi ministrin Lekaj për mbështetjen dhe theksoi se asnjëherë më parë nuk ka pasur përkrahje më të madhe nga Qeveria se sa gjatë këtij mandati.