09:33 / E Hënë, 28 Tetor 2019 / indeksADMonline

Ahmeti: Fermerët s’po vetëdijësohen – djegia e hamulloreve ka efekte negative për tokën

Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave dhe bashkëthemelues i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC) thotë se edhe sivjet po vazhdon tradita e keqe e djegies së qëllimshme të hamulloreve në arat e Kosovës, nga pronarët e fushave bujqësore.

“Fermerët asesi nuk po vetëdijësohen se në bazë të hulumtimeve të bëra të ekspertëve bujqësorë në Kosovë, është konstatuar se djegia e hamulloreve ka efekte negative për tokën, duke shkatërruar masën bimore që gjendet në ara.

Por për pasojë, këto zjarre pastaj po përhapen edhe në pyje (edhe ashtu mjaft të thata në këtë kohë) duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në to, dëme ekologjike duke ndotur ambientin nga emetimi i mbetjeve të këtyre zjarreve si dhe po shkaktojnë rrezikim të përgjithshëm të të mirave materiale, por po rrezikojnë dhe vet jetën e qytetarëve”, ka shkruar Ahmeti në një postim në Facebook.

Njohësi i çështjeve të emergjencave shton se inicimi i qëllimshëm i zjarrit që është me rrezik të përgjithshëm, është vepër penale dhe sanksionohet me burgim, organet e rendit në Kosovë, duhet të veprojnë në mënyrë që personat e papërgjegjshëm që shkaktojnë zjarre të qëllimshme të marrin ndëshkimet e duhura ligjore./Indeksonline/