07:18 / E Hënë, 29 Janar 2018 / indeksADMonline

Ahmeti kërkon publikimin e të dhënave zyrtare për cilësinë e ajrit në Prishtinë

Pas ndotjes së ajrit në masa të larta në Prishtinë, Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti ka reaguar sërish mbrëmë në orët e vona.

Ahmeti ka kërkuar nga Agjencia e Mbrojtjes dhe Mjedisit publikimin e të dhënave zyrtare për cilësinë e ajrit sipas Ligjeve në fuqi, në mënyrë që edhe politikat të zbatohen në përputhje me të dhënat.

Poashtu sipas tij është mirë që Agjencia të mbaj një konferencë të vetëdijesimit ku shpjegon se çfarë domethënie kanë vlerat e ndryshme që maten, transmeton Indeksonline.

Ahmeti gjithashtu bëri të ditur se ka kërkuar nga kryesuesi i Kuvendit të Prishtinës, Agim Kuleta, të thërras mbledhje të jashtëzakonshme për të enjten ose të premten.

Ky është postimi i plotë:

Pas takimit të javës së kaluar, Ministria e Mjedisit dhe ekipet e Komunës do të takohen nesër për të shqyrtuar reduktimet në trafik dhe subvencionimin e transportit publik në kohë të caktuara.

Po ashtu, si kryetar i Komunës së Prishtinës po kërkoj nga Agjencia e Mbrojtjes se Mjedisit publikimin e të dhënave zyrtare për cilësinë e ajrit sipas Ligjeve në fuqi, në mënyrë që edhe politikat të zbatohen në përputhje me të dhënat. Po ashtu do të ishte mirë që Agjencia të mbaj nje konferencë vetëdijësuese ku shpjegon se çfarë domethënie kanë vlerat e ndryshme që maten.

Kerkojmë edhe nga Instituti i Shëndetit Publik që në përputhje me Ligjin të lëshojnë udhëzime për qytetarët se si duhet te veprojnë në raste të vlerave të larta.

Krejt në fund, kam kërkuar nga Kryesuesi Agim Kuleta që ta thërret mbledhjen e jashtëzakonshme për të enjten ose të premten sipas ligjit, për ti diskutuar keto dhe masa të tjera që mund të ndermarrim. E falenderoj edhe asambleistin Havolli për kërkesen.

Ftoj edhe Kuvendin e Republikes te organizojne seance të jashtëzakonshme për këtë çështje.