12:40 / E Enjte, 16 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Ahmeti: Nga janari 2018, këto do jenë ndryshimet rreth mbledhjes së mbeturinave

Kandidati i Vetëvendosjes për Prishtinën, Shpend Ahmeti i cili po tenton mandatin e dytë në Prishtinë, ka bërë me dije se nga janari i vitit 2018 do të nisë zbatimi i Rregullores për mbledhjen e mbeturinave.

Ai në një konferencë për media ka thënë se Rregullorja parasheh që mbeturinat të paguhen në komunë dhe jo në kompaninë “Pastrimi”.

“Prej janarit 2018 komuna e Prishtinës do të nis zbatimin e Rregullores që e kemi bë në bashkëpunim me GIZ-in gjerman. Kjo Rregullore parasheh që të kemi një reformë të plotë të mbledhjes së mbeturinave. Ne synojmë që të fillojmë pagesat e mbeturinave në komunë dhe jo më te kompania “Pastrimi”. Kjo ka funksionuar tepër mirë në disa komuna ku është paguar përmes tatimit në pronë”, ka thënë ai, raporton Indeksonline.

Ahmeti është shprehur se do të shtohet numri i kontejnerëve, ndërsa çmimi për ekonomi familjare do të jetë njëjtë, 4 euro e 70 cent.

Por, sipas Ahmetit, bizneset, kafiteritë, restaurantet do i kenë kontejnerët e tyre.

“Gjysma gati e pronave në qytet nuk kanë kontrata të lidhura për mbledhjen e mbeturinave dhe kjo neve do na mundësojë që të mbledhim fonde më shumë, është 4 euro e 70 cent për ekonomi fmailjare, por me tarifa të strukturuara, bizneset, kafiteritë, restorantet do e kenë kontejnerin e vet. Kjo do të thotë që ne do të kemi liri më shumë, hapësirë më shumë dhe fonde më shumë”, është shprehur ai.

Ahmeti ka deklaruar se në këtë plan do të përfshihen të gjitha lagjet dhe fshatrat që deri më sot nuk kanë qenë të përfshira në mbledhjen e mbeturinave./Indeksonline/